24 vjet nga mobilizimi i UÇPMB-së, Abdullahu: Gjendja e ish-ushtarëve nuk është aspak e kënaqshme (VIDEO)

24 vjet më parë, një grup i shqiptarëve kishin reaguar në fund të janarit të vitit 2000 në fshatin Dobrosin, ku kishin dalë për herë të parë publikisht si Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Në këtë 24-vjetor nga mobilizimi i UÇPMB-së, Bejtullah Bejtullahu, kryetar i OVL– UÇPMB në Bujanoc deklaroi se këtë ditë e kanë shënuar duke nderuar martirët dhe dëshmorët e rënë për lirinë e atdheut.

Tutje ai shtoi se gjendja e ish-ushtarëve të UÇPMB-së nuk është aspak e kënaqshme pasi që në këtë përvjetor ashtu si edhe përvjetorë të tjera, ai tha se një numër i madh i ish-ushtarëve të UÇPMB-së nuk mund të kthehen në vendlindjen e tyre, duke përfshirë edhe ish-komandantin e stafit të përgjithshëm të UÇPMB-së Shefket Musliu.

“Nga Serbia nuk respektohet amnistia e plotë për ish ushtarët, kështu që është një brengë që edhe këtë vit një numri madh i këtyre djemve të cilët dhanë më të mirën e mundshme për atë vend, sot nuk mund të bëjnë homazhe pranë varreve të dëshmorëve të UÇPMB-së”.

“Misioni dhe qëllimi i UÇPMB-së ishte që Presheva, Medvegja e Bujanoci t’i bashkohen Kosovës, por me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar u arrit marrëveshja e paqes në maj 2001, por fatkeqësisht që nga ky vit Serbia nuk e arriti ta realizojë atë çka premtoi para faktorit të UÇPMB-së në atë kohë dhe faktorit ndërkombëtar. Kështu që menjëherë filloi ta shkelë Marrëveshjen e Konçulit dhe gjendja momentale e shqiptarëve atje nuk është aspak e mirë sepse Serbia e vazhdoi diskriminimin e plotë ndaj shqiptarëve të Luginës në të gjitha e veprimtarisë njerëzore”, deklaroi Bejtullahu për emisionin Info Magazine në Klan Kosova.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share