22 viktima nga “bomba ciklonike” në SHBA

Anulohen 2 700 fluturime, miliona amerikanë pa energji

Ashtu siç ishte parashikuar nga metereologët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përballen me Krishtilindjen më të ftohtë prej disa dekadash.

“Bomba ciklonike” solli borë të madhe dhe erëra të forta ccka bëri që miliona amerikanë ta kalojnë Krishtilindjen në shtëpitë e tyre.

Bilanci i viktimave nga i ftohti ekstrem ka arritur në 22, ku shumica e rasteve i atribuohen aksidenteve në rrugë për shkak të ngricave si dhe rrëzimit të pemëve si pasojë e erërave të fuqishme.

Rreth 500 shoferë e gjetën veten të bllokuar në automjetet e tyre në Kontenë Erie, ndërsa ekipet e urgjencës janë vendosur në dispozicion për të shpëtuar njerëzit.

Gati 2 milionë amerikanë kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa si pasojë e borës së madhe dhe erërave që arritën deri në 70 kilometra në orë mbi 2700 fluturime u anuluan.

Temperaturat do të vijojnë që të mbeten të ulëta deri në -20 gradë Celsius nga Xhorxhia, Karolinën e Jugut si dhe në shtetet jugore Teksas dhe Florida. Në perëndim, Montana është më i godituri nga i ftohti, me temperatura që bien në -45 gradë Celsius.

Një gjendje e jashtëzakonshme në Nju Jork do të vijojë edhe përgjatë fillimit të javes, i cili po përballet me temperaturat më të ulëta për Krishtilindje që prej vitit 1983.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share