Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sot realizoi takim me Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka, e cila qëndron për vizitë zyrtare në vendin tonë.
Në takim u konstatua dinamika e shkëlqyer në bashkëpunimin bilateral dhe u rikonfirmuan zotimet e ndërsjella për pasurimin e tij me përmbajtje dhe projekte të reja, në interes të dy vendeve fqinje dhe qytetarëve. Theksi u vu në proceset e reformave të integrimit evropian, që po zhvillohen me ritme të pandërprera në të dy shtetet.
“Këtë vit shënojmë 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike – tri dekada të afërsisë, miqësisë dhe sukseseve. Ky partneritet dhe kjo miqësi e fortë u demonstrua shumë qartë në periudhën para fillimit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kur shumica e parashikuan mundësinë që Shqipëria të vazhdonte e vetme në këtë rrugë. Sinqerisht e vlerësojmë sjelljen dhe para se gjithash durimin e Tiranës zyrtare, e cila edhe publikisht shprehu mirëkuptim për qëndrimin tonë gjatë asaj periudhe”, tha Osmani.
Të dy vendet së bashku dhe me sukses kalojnë nëpër procesin e skriningut, përmes zbatimit të reformave të brendshme, drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, si një mundësi reale dhe e arritshme, shtoi ai.
Në mënyrë të veçantë iu referuan bashkëpunimit rajonal dhe marrëveshjes së arritur së fundmi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me këtë rast, u theksua mbështetja e fuqishme e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për zbatimin e plotë dhe joselektiv të dispozitave të marrëveshjes dhe aneksit të Ohrit.
Në prag të takimit ministror të nesërm në kuadër të ShBA-Karta e Adriatikut (A5), ministrat vlerësuan lart bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, ku partneriteti dhe aleanca jonë demonstrohen çdo ditë, si dhe riafirmuan politikën e dyerve të hapura me shtetet e reja anëtare.