20 vjet nga trazirat e marsit në Kosovë

PROTESTAT E 17 MARSIT 2004

Sot bëhen 20 vjet nga protestat e njohura si trazirat e marsit në Kosovë, ku 20 persona humbën jetën dhe u lënduan qindra të tjerë.

Lajmi për mbytjen në lumin Ibër të tre fëmijëve Egzon Deliut, 13 vjeç, Avni Veselit, 12 vjeç, dhe Florent Veselit, 9 vjeç, teksa iknin nga një grup i të rinjve serb pati jehonë të madhe.

Qytetarët anë e kënd Kosovës nisën protestat të nesërmen më 17 mars të vitit 2004, që shumë shpejt dolën nga kontrolla dhe pati dhunë në to.

Protesta ishte drejtuar UNMIK-ut, në kohën kur Kosova ishte nën administrimin total ndërkombëtar. Ngjarja pasoi me djegie të shtëpive e të objekteve fetare në Kosovë. Serbët u hakmorën duke e bërë të njëjtën me shtëpitë shqiptare atje.

Gjatë trazirave 20 persona humbën jetën kurse qindra të tjerë u plagosën

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje teksa ka kujtuar këtë ngjarje, ka thënë se paqja dhe siguria nuk mund të merren si të mirëqena.

“20 vjet pas, i kujtojmë ato ngjarje, ndonëse me shumë të panjohura se si rrodhën, teksa ia rikujtojmë vetes se paqja dhe siguria nuk mund të merren të mirëqena. Ato janë më të vështira se dhuna, sepse duhet të mbahen, ruhen e mirëmbahen vazhdimisht”, tha Kurti.

Ndërkaq, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në përkujtim të kësaj date, ka pranuar nxënësit serb të shkollave fillore në Kosovë. Sipas tij, përndjekja e serbëve, vazhdon edhe pas 20 viteve. /tvklan.mk/

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share