Nënkryetari i BDI-së dhe njëri nga drejtuesit t grupit të të pakënaqurve në BDI, Izet Mexhiti ka hedhur një sërë akuzash ndaj Artan Grubit nga takimi me qytetarët e Hasanbegut, përcjell KlanM.
Mexhiti e cilëson Grubin si fajtor të humbjes së votave të BDI-së.
“Lexojmë edhe anketat serioze se BDI nuk shkëlqen si në të kaluarën. Kjo e keqe ka nisur në 2020-ën. Me Artanin e provuam në 2016-ën. 20 vite në Çair BDI është fituese. Vetëm në 2016-ën humbëm zgjedhjet e jo parti e dytë, por e tretë. Dikush thoshte se ishte kohë e vështirë, kohë krize, por kur e larguam Artanin dhe e morëm ne në duart tona në emër të BDI-së, prapë BDI-ja doli fituese në 2017-ën me Visar Ganiun dhe vazhduam me fitore tjera. Në 2020-ën duke pasur parasysh se është ekspert për të humbur vota, njeri që nuk mund të fitojë as në këshillin vendor ku jeton, ne atë e larguam nga fushata, e larguam nga kandidatura. E larguam nga opinioni, për t’i dhënë porosi qytetarit se nuk e bëjmë më këtë gabim”, tha mes tjerash Izet Mexhiti./KlanMacedonia