Stewart Rhodes, lider i ekstremit të djathtë të “Oath Keepers” u akuzua për komplot, rebelizëm dhe krime të tjera
Lideri i milicisë së krahut të djathtë, Stewart Rhodes, është dënuar me 18 vjet burg për rolin e tij në trazirat në Kapitol, më 2021. Rhodes, themelues i Oath Keepers, është dënuar nën akuzat për komplot, rebelizëm dhe krime të tjera. Dënimi i tij është më i gjati deri më tani ndër qindra çështjet e ngritura ndaj pjesëmarrësve në trazirat në Kapitol.
Në fjalën e tij përpara se gjykatësi të jepte vendimin, Rhodes kritikoi prokurorët si të motivuar politikisht.
“Jam një i burgosur politik dhe ashtu si Presidenti Trump, krimi im i vetëm është se kundërshtoj ata që po shkatërrojnë vendin tonë”, tha Rhodes.
Marrja e këtij vendimi është një tjetër arritje e rëndësishme për hetimin e zgjeruar të Departamentit të Drejtësisë për 6 Janarin, që deri më tani ka sjellë dënime për komplot rebelimi ndaj udhëheqësve të dy grupeve ekstremiste të së djathtës.
Prokurorët më herët kishin kërkuar 25 vite burg për Rhodes, për të cilin thanë se ishte arkitekti i komplotit për ndërprerjen me forcë të transferimit të pushtetit presidencial. Deri më tani, dënimi më i gjatë ndër çështjet për sulmin ndaj Kapitolit ishte me 14 vite burg për një person për sulmin e Kapitolit. Mbi 500 persona janë dënuar tashmë dhe mbi gjysma kanë marrë dënime me burg, ndërsa pjesa tjetër janë dënuar me arrest shtëpie ose dënime me kusht.
Klan News