16 të vdekur dhe 36 të zhdukur nga përmbytjet në Kinë

Si pasojë e reshjeve të papritura, të cilat shkaktuan rrëshqitjen e dheut dhe ndryshimin e rrjedhës së një lumi, 16 njerëz kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë zhdukur nga përmbytjet në veriperëndim të Kinës.

Përmbytjet ndodhën në një rajon malor të qarkut Datong në provincën Qinghai, kanë prekur më shumë se 6.200 njerëz nga gjashtë fshatra, raportoi transmetuesi shtetëror CCTV.

“Që nga mesdita e datës 18 gusht, 16 persona janë vrarë dhe 36 janë të zhdukur”, shtoi CCTV.

Puna e shpëtimit është duke vazhduar.

Këto përmbytje vijnë gjatë një vere shumë të nxehtë në Kinë, ku qytete të shumta regjistrojnë temperaturat e tyre më të larta.

Sipas transmetuesit shtetëror, tashmë është ngritur edhe shtabi i emergjencës.

Reshjet e mëdha dhe të papritura të së mërkurës mbrëma kishin shkaktuar përmbytjet, thuhet në raportimin e CCTV.

Përmbytjet e mëdha në Kinën jugore në qershor zhvendosën më shumë se gjysmë milioni njerëz dhe shkaktuan rreth 250 milionë dollarë dëme.

Ndërkohë, miliona njerëz në Kinën jugperëndimore po përballen me ndërprerje të vazhdueshme të rrymës, pasi një valë dërrmuese e të nxehtit çoi në një krizë të furnizimit me energji elektrike që i ka detyruar fabrikat të ndalojnë punën.

Administrata Meteorologjike e Kinës tha se vendi po kalonte periudhën e tij më të gjatë të temperaturave të larta, që nga viti 1961. /REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share