Gjykata e Strasburgut e cilësoi “shtetërore” vrasjen në vendimin e dhënë pas padisë së familjarëve të Aleks Nikës
Sot mbushen 13 vite nga 21 Janari i vitit 2011, kur 4 protestues u vrane në bulevardin para Kryeministrisë.
Kryeministri Edi Rama ka kujtuar 4 viktimat, përmes një fotoje ku ai shfaqet me një karafil të kuq në dorë dhe duke shkruar “Drejtësi për 21 Janarin”.
Disa herë kreu i qeverisë ka kërkuar nga organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ku humbën jetën Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika.
Në Nëntor të vitit që sap u mbyll, Gjykata e Strasburgut i dha përgjigje ankesës së familjarëve të një prej protestuesve Aleks Nikës, duke nënvizuar se ka dy shkelje. Sipas kësaj gjykate, shteti ka përgjegjësi për vrasjen e më pas moszbardhjen e saj.
Sa i takon hetimeve, në konkluzionet Gjykatës së Strasburgut, thuhet se ’hetimi duhet të bëhet dhe të dënohet fajtori kushdo qoftë‘.
Prokuroria mori si të pandehur për vrasjet e protestuesve para kryeministrisë, ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendin dhe përgjegjësin e njësisë speciale, Agim Llupo.
Klan News