Shqiptarët festojnë sot 110-vjetorin e Pavarësisë.
110 vjet më parë, në Vlorë përfaqësues të Vilajeteve shqiptare shpallën Pavarësinë e Shtetit Shqiptar. Kuvendi Kombëtar i Vlorës mbledhjen e tij të parë e mbajti më 28 Nëntor 1912, me aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar nga Perandoria Osmane.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore dhe luftërave të pareshtura që bënë shqiptarët për çlirimin e vendit. Por, për fat të keq, Qeveria e Vlorës pati një jetë të shkurtër, pasi pak më shumë se një vit Qeveria e Vlorës u detyrua të tërhiqet dhe t’i lërë vend një Qeverie të drejtuar nga një Princ i huaj i emëruar nga Fuqitë e Kohës.
Edhe më keq Shqipëria u godit në aspektin territorial, ushtritë e fqinjëve dhe luftërat ballkanike copëtuan gjysmën e territoreve të Shqipërisë, duke u aneksuar nga fqinjët, ndërsa Konferenca e Londrës e mbajtur në vitin 1913 pranoi pushtimet e territoreve shqiptare, duke i rrudhur kufijtë e Shqipërisë në mënyrë dramatike.
Pas shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912 u formuan edhe organet shtetërore, Pleqësia dhe Qeveria e dalë nga Kuvendi i Vlorës. U ngritën forcat e armatosura dhe ato të rendit dhe nisi puna për konsolidimin e arsimit, shëndetësisë, administratës, etj.
Qeveria e Vlorës vuri gurët e parë për krijimin e një sistemi gjyqësor sipas modeleve evropiane. Gjuha shqipe u shpall si gjuhë zyrtare dhe u vendos hapja e shkollave shqipe prej vjeshtës 1914. Akti më i rëndësishëm juridik që nxori Qeveria e përkohshme e Vlorës ishte”Kanuni i përkohshëm i administratës civile të Shqipërisë”, që u botua në nëntor 1913.
Klan News