Presidenti i SHBA, Joe Biden, me anë të një video-mesazhi ka uruar popullin shqiptar dhe ata amerikan me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
Në mesazhin e tij Biden thotë se SHBA qëndron krah Shqipërisë teksa punojnë për forcimin e institucioneve demokratike, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe rrugën e vendit tonë drejt BE-së.
Joe Biden: Të gjithë popullit të Shqipërisë, i dërgoj urime të më përzemërta të miqësisë jetëgjatë me SHBA-në ndërsa festojmë 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes vendeve tona. Kur SHBA e mbrojtën Shqipërinë pas Luftës së Parë Botërore u krijua një miqësi e përhershme mes popujve tanë, një dashuri e përbashkët për lirinë dhe për vlerat e demokracisë, të cilat nuk u thyen kurrë.
Sot, Shqipëria dhe SHBA janë aleate në NATO dhe partnere që punojnë së bashku për mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë në Europë dhe në mbarë botën, duke përfshirë punën tonë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shqipëria ka bërë gjithashtu një kontribut kritik në mbështetjen e nevojave humanitare dhe të sigurisë për popullin ukrainas teksa mbrojnë veten e tyre kundër luftës brutale të Rusisë. Dua gjithashtu që të falenderoj popullin e Shqipërisë për mikpritjen tuaj në strehimin e mijëra afganëve gjatë vitit të kaluar.
SHBA do të vazhdojë të qëndrojë me Shqipërinë teksa punoni për të forcuar institucionet demokratike, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe plotësoni udhëtimin për t’iu bashkuar Bashkimit Europian. Uroj që dy kombet të vazhdojnë të ndërtojnë mbi gjithçka që kemi arritur së bashku dhe të ofrojmë një të ardhme më të fuqishme, shpresëdhënëse për fëmijët tanë. /tvklan.al