Koalicioni “Vlen” sot përmes një komunikate tha se një pjesë e konsiderueshme nga 100 milion eurot e Qeverisë për pushtetin lokal, do të shfrytëzohen për projekte në zonat e banuara me popullsi shqiptare. Nga ky koalicion ftojnë, siç thonë, kryetarët e BDI-së të konkurrojnë me projekte, sepse nuk do t’i diskriminojnë.
“Pas investimit historik prej 34.5 milionë eurosh për kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”, tani është shpallur thirrja publike prej 100 milionë eurove, nga të cilat një pjesë e konsiderueshme do të fokusohet në investime për përmirësimin e infrastrukturës në zonat Shqiptare. Derisa BDI vazhdon të krenohet me patriotizëm të rremë dhe të shmangë përgjegjësinë për korrupsionin e saj të madh, VLEN është këtu për të realizuar atë që ata kurrë nuk e bënë: decentralizimin e vërtetë. Ne jemi këtu për të realizuar punë të vërtetë për mirëqenien e qytetarëve! Kalojmë në vepra: realizimi i programit të parë buxhetor prej 100 milionë euro për komunat do të fillojë deri në fund të vitit 2024. Kryetarët e BDI-së mund të konkurrojnë me projekte, dhe ne nga VLEN nuk do t’i diskriminojmë. Jemi të gatshëm ta kryejmë edhe punën e tyre” – tha koalicioni VLEN.
Megjithatë nga Qeveria nuk permendet askund se një pjesë e konsiderueshme e parave do të shfrytëzohen për investime në komunat me shumicë shqiptare. Nga ekzekutivi thonë se kriter për ndarjen e parave janë projektet me të cilat konkurrojnë komunat.
“Paratë do të dedikohen për projekte për përmirësimin e infrastrukturës në të gjitha komunat e vendit. Komunat aplikojnë me projekte infrastrukturore dhe kapitale në bazë të kritereve dhe procedurave të përcaktuara më parë. Komunat mund të aplikojnë me një ose më shumë projekte infrastrukturore në fushën e kulturës, sportit, mjedisit, infrastrukturës rrugore, si dhe në fushën e politikës sociale dhe arsimit. Vlerësimi i projekteve të propozuara do të bëhet në ministritë përkatëse, përmes të cilave do të ndahen fondet. Komunat, komunat në Qytetin e Shkupit dhe Qyteti i Shkupit kanë të drejtë të paraqesin aplikacione dhe projekt propozime, pavarësisht nga prejardhja politike e kryetarëve të komunave” – tha Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Thirrja publike u shpall një ditë më parë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Shpallja do të jetë e hapur deri më 22 shtator, pas së cilës do të ndiqet procedura për përzgjedhjen e projekteve që do të përfitojnë para nga buxheti i shtetit. Kjo është thirrja e parë dhe nga buxheti i shtetit do të jepen gjithsej 250 milionë euro për zhvillim dhe përmirësim të kushteve në Komuna. Këto mjete financiare janë siguruar përmes ribalancimit të Buxheti. /tvklan.mk/
Përgatiti: Evi Shkopi