ALI AHMETI: NDARJA E RE TERRITORIALE – SHPËTOI MAQEDONINË NGA NDARJA
10 vjetori i fitores historike të Komunës së Kërçovës, bëri bashkë BDI-në dhe të ashtuquajturin “Grupi i Zjarrit”, njofton KlanM.
Fatmir Dehari, i veshur ndryshe nga herët tjera, me bluzën me mbishkrimin “10 vite Krenari”, arriti t`i ulë bashkë Ali Ahmetin, Talat Xhaferin, Artan Grubin, Kreshnik Bekteshin por edhe Izet Mexhitin, Musa Xhaferin, Hazbi Likën e të tjerë.
Në fjalimin e tij, sic njofton KlanM, kreu I BDI-së, Ali Ahmeti, tha se ndarja territoriale e vitit 2004, shpëtoi ndarjen e Maqedonisë.
Kjo nuk është shaka dhe bëjnë mirë, të gjithë aktorët e këtyre ngjarjeve, të reflektojnë dhe le të thonë të vërtetën se pikërisht ne shqiptarët kemi qenë që e kemi shpëtuar këtë shtet të mbijetojë, sepse ka qenë zgjidhja më e mirë, sepse do të krijonim një tragjedi të vërtetë, një luftë të paparë në historinë e Ballkanit” – tha Ali Ahmeti.
Nuk mungoi as edhe reagimi i Izet Mexhitit. Përmes një postimi në Facebook dhe duke shpërnda fotografi të viitit 2013, sic percjell KlanM, ai shkruan se po bëhen 10 vite nga fitorja e madhe kur Kërçova me votën e popullit përfundimisht u bë shqiptare. Por, nuk harroi të përmend edhe dicka tjetër.
“10 vite nga fushata kur Gruevski në pafuqi për ta ndalur vullnetin e popullit shqiptar na drejtohej që “Deharovcit” dhe “Mexhitovcit” nëse duan komunë shqiptare le të shkojnë në Shqipëri” – ka shkruar Mexhiti në Facebook.
Kërçova me zgjerimin e ri territorial, para zgjedhjeve lokale 2013, u shndërrua në poligon partiak por edhe ndëretnik.
Komunat Zajas, Osllomej, Drugovë dhe Vraneshticë iu bashkuan Kërçovës me çka në mënyrë drastike u ndryshua pasqyra etnike e rajonit të Kërçovës.
Ndryshe, sic njofton KlanM, më 24 Mars 2013, në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale për kreun e Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari i BDI-së fitoi 18.552 vota apo 52.62%, kundrejt kandidatit të koalicionit VMRO-DPMNE dhe 19 partive tjera, Blagoja Despotoski i cili fitoi 16.222 vota apo 46.01%, duke u bërë shqiptari I parë që pas 70 viteve drejton Kërçovën.
Duhet të përmendet fakti se në atë kohë, në nivel lokal, “rivalët e përbetuar” VMRO-DPMNE dhe LSDM u bënë bashkë për ta fituar Kërçovën dhe Strugën.
Jehona e zgjedhësve kishte qenë 73.34% falë edhe ardhjes masive të mërgimtarëve për të votuar në Kërçovë.
Sipas kronikave të kohës, sic njofton KlanM, në fundjavën e zgjedhjeve të 24 Marsit 2013, përveç linjave të rregullta, 17 avionë kishin mbërritur nga Zvicra kurse 12 çarterë kishin ateruar në Ohër.
Ndryshe ndarja e re territoriale e Maqedonisë I mbijetoi një Referendumi të mbajtur më 7 Nëntor 2004. Kundër ndarjes së re territoriale, sic percjell KlanM, u deklaruan 427.112 qytetarë të Maqedonisë, por referendumi rezultoi i pasukesshëm për shkak se jehona kishte qenë 26.58%. Që të ishte I suksesshëm duhej të dilnin 51% e trupit votues.
Bashkësia ndërkombëtare negativisht ishte prononcuar rreth kësaj nisme për referendum. Më të zëshëm ishin SHBA-të, të cilët dy ditë para Referendumit e njohën Maqedoninë me emrin kushtetues. /KlanMacedonia/