Porti i Durrësit përfitime të ndjeshme sezoni turistik
Turizmi me mjete lundruese detare si kroçera, jahte, veliera etj, shënoi rritje këtë sezon veror në Portin e Durrësit, duke tejkaluar pritshmërirë e autoriteteve.
Rreth 260 mjete kryesisht për qëllime turistike janë ndalur në këtë port këtë sezon.
Të tilla mjete sollën jo vetëm mijëra turistë nga vende të ndryshme të botës, por edhe më shumë të ardhura.
Falë mjeteve që ndaluan për furnizim me karburant u arkëtuan në buxhetin e shtetit rreth 10 milionë Dollarë.
“Këtë vit është aplikuar një taksë kombëtare prej 400 letra të vjetra për furnizimet me naftë. Pra, vetëm nga furnizimi me naftë, në buxhetin e shtetit kanë kaluar gati 10 milionë Dollarë”, thotë Kapiteni i Portit të Durrësit, Tauland Allka.
Gjatë sezonit veror mbërritën 27 kroçiera, por Allka thotë se sezoni i tyre nuk është mbyllur pasi përgjatë periudhës Shtator-Tetor janë planifikuar të mbërrijnë edhe 7 kroçera të tjera duke sjellë mijëra turistë.
“Kemi akoma prenotime për të vizituar Durrësin, të cilat do të sjellin gati 4 mijë e ca pasagjerë”.
Sipas Kapitenit Allka, ky interes po përballohet vetëm me pak sipërfaqe të dedikuara për mjetet turistike, ndërsa situata do të marrë zgjidhje me ndërtimin e Marinës Turistike.
Tv Klan