Një burrë është vrarë dhe 2 persona të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi me thikë që ndodhi në qendër të Parisit, në Francë.
Sulmi ndodhi mbrëmjen e të shtunës pranë kullës Eifel. Viktima është një shtetas gjerman, i cili ishte me bashkëshorten kur u sulmua me thikë.
Gruaja e tij i shpëtoi sulmit pas ndërhyrjes së një shoferi taksie që ndodhej aty pranë.
Autori i këtij sulmi u largua pas ndërhyrjes së shoferit të taksisë.
Më pas sulmoi edhe dy persona të tjerë, njërin prej të cilëve e goditi me çekiç në sy. Të dy të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Autori i sulmeve u arrestua nga policia franceze. Ministri i Brendshëm tha për mediat se autori ishte dëgjuar të bërtiste “Allahu Akbar” gjatë sulmeve. Në dëshminë para hetuesve, sulmuesi kishte thënë se ishte i mërzitur “sepse shumë myslimanë po vdesin në Afganistan dhe Palestinë”.
Autori ishte në listën e personave që mbahej nën vëzhgim nga autoritetet franceze, pasi kishte kryer 4 vite burgim për planifikimin e një sulmi në vitin 2016. Autori kishte shfaqur edhe çrregullime mendore.
/tvklan.al