Një ngjarje tragjike ka tronditur një familje kosovare në Florida, SHBA, mbrëmjen e 27 nëntorit, ku burrë dhe grua nga Kosova u gjetën të vrarë me armë zjarri.
Rrethanat dhe shkaqet e krimit mbeten ende të paqarta, ndërkohë që autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes, shkruan Insajderi.
Pajtim Krasniqi nga Peja është gjetur i vdekur mbrëmjen e 27 nëntorit, bashkë me bashkëshorten e tij në Florida të SHBA-së.
Lidhur me këtë tragjedi, ka reaguar vetë motra e Pajtimit, Albana përmes një postimi në Facebook të shkruar në gjuhën angleze.
Motra e të ndjerit e ka akuzuar gruan e Pajtimit, për këtë vrasje makabre.
“Festën e Falenderimeve nuk e kalova me burrin dhe fëmijët e mi. Nuk e kalova me miqtë e mi. Këtë ditë e kalova me policët, hetuesit dhe lajmet që flisnin për vrasjen e egër dhe të pakuptimitë të vëllait tim të vogël nga gruaja e tij”, shkruan tutje ajo.
Ky rast tragjik ndodhi në mesnatë, në katin e 45-të të apartamentit, ku qëndronte çifti kosovar.
Raportohet se janë dëgjuar së paku gjashtë të shtëna të njëpasnjëshme, të cilat lanë të vdekur burrë e grua.
Vdekja e tyre është konstatuar në vendin e ngjarjes, por akoma nuk dihet se si ka ndodhur ngjarja dhe nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë incident tragjik.
Në vendin e ngjarjes thuhet se janë gjetur prova të shumta materiale, që janë marrë nga Policia si dëshmi që do të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanat e vrasjes së dyfishtë.