TENTIM-ATENTATI NDAJ KURTIT
RTK: PLAN PËR ATENTAT NDAJ KRYEMINISTRIT KURTI?!
Burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, kanë thënë për RTK-në, se, menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit në Shkup, ku ka qëndruar mbrëmë.
RTK-së i është thënë se vlerësimet për kërcënimin e jetës së Kurtit kanë qenë serioze, veçmas duke marrë parasysh se ato kanë ardhur nga disa burime të informacionit.
“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”, ka thënë burimi për RTK-në.
Lidhur me këto pohime është prononcuar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil” – deklaroi Albin Kurti.
Ndërkohë, portali “Infomax” publikoi një video ku ka njoftuar se Kryeministri Kurti mbrëmë ka qenë në një lokal të njohur të Shkupit. Gjatë ditës eskorta e tij është filmuar edhe në hyrje të Maqedonisë së Veriut, ku Kryeministri Kurti ka marrë pjesë në një takim me partitë rajonale të socialdemokratëve në Shkup. /tvklan.mk/