NUK IA KA DORËZUAR RUSKOVSKËS LËNDËT E KËRKUARA
Policia Financiare ka reaguar ndaj deklaratës së sotshme të prokurores Vilma Ruskovska, e cila tha se ky institucion nuk i ka dorëzuar ende lëndët e kërkuara. Nga Policia Financiare kanë thënë se, janë të pavërteta deklaratat e prokurores se ka kërkuar 300 lëndë dhe se janë dorëzuar vetëm 30 lëndë.
“Shtatë ditë pas bastisjes dhe kërkesës, përkatësisht më 25.07 kur Drejtoria për Polici Financiare doli me komunikatë në opinion në të cilën informuam për bastisjen dhe parashtresat e dorëzuara për shkak të dyshimeve për keqpërdorim nga ana e prokurores Vilma Ruskovska, në orën 14:00 në Drejtorinë arriti një letër me të cilën kërkohej që Drejtoria menjëherë t’i dorëzojë lëndët dhe dokumentet e mbledhura deri atëherë. Drejtoria për Polici Financiare deri në atë moment kishte siguruar 35 lëndë të formuara për “kallëzimet penale anonime të dorëzuara në Drejtorinë nga viti 2018 deri në ditën e përgjigjes së kërkesës”, thonë nga Policia Financiare.
Ruskovska duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas dorëzimit të ankesës për suspendimin e saj se, çfarë dëshmi ka gjetur gjatë bastisjes në Drejtorinë për Polici Financiare, tha se nuk i janë dorëzuar të gjitha dokumentet që ka kërkuar. Ajo tha se, kanë kërkuar rreth 250 – 300 lëndë, ndërsa i janë dorëzuar 30, shumica prej të cilave nuk i kanë kërkuar. Ruskovska theksoi se, sipas ligjit për procedurë penale, kanë të drejtë të kërkojnë dënimin e institucionet dhe personit përgjegjës dhe paralajmëroi se do ta bëjnë atë.