Qeveria zvicerane ka vendosur të përfundojë programet e saj të ndihmës zhvillimore për Shqipërinë, Bangladeshin dhe Zambian deri në fund të vitit 2028, pas shkurtimit të fondeve nga Parlamenti zviceran.
Ky vendim është pjesë e një uljeje të përgjithshme të buxhetit të bashkëpunimit ndërkombëtar, e cila prek edhe vendet e tjera përfituese të ndihmës zvicerane.
Megjithatë, pavarësisht këtyre masave, ndihma humanitare dhe mbështetja për Ukrainën nuk do të preken, duke reflektuar prioritetet strategjike të politikës së jashtme zvicerane.
Vendimi i Zvicrës vjen vetëm një ditë pas njoftimit të Ambasadës Amerikane në Tiranë, e cila informoi institucionet shqiptare për pezullimin e fondeve të mbështetjes nga SHBA.
Ky veprim është rezultat i urdhrit ekzekutiv të Presidentit Donald Trump, i cili urdhëroi rishikimin e të gjitha programeve të ndihmës së huaj dhe pezullimin e tyre deri në përshtatjen me prioritetet e reja të politikës së jashtme të administratës së tij.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio konfirmoi zbatimin e këtij urdhri ekzekutiv, duke theksuar se “asnjë ndihmë ndërkombëtare e SHBA-së nuk do të shpërndahet nëse nuk është plotësisht në përputhje me politikën e jashtme të Presidentit të Shteteve të Bashkuara”./Euronews Albania