Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut po zhvillohet seanca për interpelancën kundër pesë anëtarëve të Këshillit gjyqësor.
Për këtë rast ka reaguar njëri nga anëtarët, Milazim Mustafa.
Ai në rrjetin social shkruan se kjo interpelancë nuk ka bazë, duke numëruar dhe shumë arsye se përse e njejta nuk qëndron.
Reagimi i plotë:
Të nderuar miq.
Duke e pasur parasysh faktin se për momentin në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut po zhvillohet seancë ku në rend dite është Interpelanca kundër 5 anëtarëve të Këshillit gjyqësor ku jam i përfshirë edhe unë, dëshiroj që me ju ta shpërndaj përgjigjen time ndaj interpelancës së njëjtë.
_______________
LËNDA: Përgjigje ndaj interpelancës kundër anëtarit të këshillit gjyqësor Milazim Mustafa
Në lidhje me: Dokumentin tuaj Nr. 08-732/2 të datës 10.02.2025
I nderuar Kryetar, të nderuar deputetë.
Para jush po paraqes përgjigje në lidhje me interpelancën nr. 08-732/2 datë 10.02.2025 për punën time si anëtar i Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në kuadër të këasj përgjigje do të trajtohen shkurtimisht të gjitha pikat e përmendura në interpelancë.
i. Interpelanca është e drejtë e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, e paraparë me Kushtetutën e 17 nëntorit 1991, por është krejtësisht e pazakontë dhe për herë të parë në historinë mbi 30-vjeçare të Kuvendit të ngrihet një akt i tillë kundër udhëheqësve të institucioneve të pushtetit gjyqësor, siç është rasti për anëtarë të caktuar të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Me këtë, jam thellësisht i bindur se një akt i tillë dhe një nismë kaq e nxituar e disa deputetëve të mazhorancës në Kuvend, pa analizuar mirë dhe pa e njohur fare situatën në gjyqësor (nisem nga fakti se shumica prej tyre, përkatësisht pesë nga shtatë iniciuesit e interpelancës nuk janë as juristë me profesion) është mënyra dhe hapi më i gabuar për të arsyetuar pretendimet e tyre fisnike për përmirësimin e gjendjes në gjyqësor.
ii. Me bërjen e një precedenti të tillë, pushteti ekzekutiv por edhe ai legjislativ, në vend që të hapin debat publik për të gjetur zgjidhje adekuate për përmirësimin e gjendjes dhe kthimin e besimit të qytetarëve në institucine dhe sistemin gjyqësor, ata edhe më tepër e rëndojnë situatën dhe nisin një praktikë deri më tani të paparë duke bërë presion direkt ndaj anëtarëve të caktuar të pushtetit gjyqësor me qëllim të tërheqjes së tyre pa mbaruar mandatin e tyre të caktuar me ligj, pa u konstatuar ndonjë shkelje ligjore apo etike të shqiptuar nga ndonjë organ kompetent i paraparë me ligj.
iii. Përmes interpelancës së lartcituar tentohet të konstatohet përgjegjësia ime individuale, si pjesëtar i një organi kolektiv ku vendimet merren me shumicë votash. Edhe atë pa mos e përmendur as edhe njëherë emrin tim në tekstin e së njëjtës, apo edhe pa e ditur apo analizuar fare rolin tim në disa nga lëndët që janë përmedur në tektin e interpelancës. Për atë, Kuvendi si bartës i pushtetit legjislativ duhet t’i respektojë ligjet që i ka sjellë, si dhe dokuementet ndërkombëtare që i ka ratifikuar dhe mos të bëj shkelje që në të ardhmen mund ta dëmtojnë imazhin e shtetit para organeve dhe gjykatave ndërkombëtare, sepse me veprimet e tilla në mënyrë direkte dhe flagrante me thyhen të drejtat e mia të fituara të ligj, si dhe pa u konstatuar faj apo ndonjë lëshim nga ana ime qoftë personal apo profesional të privohem nga një e drejtë e fituar. Veç kësaj, asnjë vendim në Këshillin gjyqësor nuk është marr individualisht nga unë, që dua të them se në Këshillin gjyqësor të përbërë prej 13 anëtarëve me të drejtë vote, në asnjë moment nuk mund të sillen vendime nga unë si i vetëm, apo edhe nga vetëm 5 (pesë) anëtarët ndaj të cilëve është ngrituar interpelanca. Për atë me ngritjen e interpelancës ndaj vetëm një pjese të anëtarëve të Këshillit gjyqësor nuk synohet të gjindet përgjegjësia indivduale por më tepër bëhet diskriminim i një pjese të antëarëve të këtij trupi.
iv. Pretendimet se gjyqësori është në nivelin më të ulët nuk janë si rezultat i punës së Këshillit gjyqësor që është një organ me kapcatitete dhe kompetenca të kufizuara. Derisa jam anëtarë në Këshillin gjyqësor (pesë vite e tetë muaj) në vazhdimësi së bashku me të gjithë anëtarët e tjerë, kemi kërkuar zgjidhje për plotësimin e vendeve të gjykatësve, në vazhdimësi kemi ngitur zërin për ndryshime ligjore, në vazhdimësi është kërkuar ndarje të buxhetit për gjyqësorin konform ligjit që asnjëherë nuk është bërë. Për atë fajin për gjendjen e paknaqshme dhe besimin e ulët sistemin gjyqësor e kërkoni në vend të gabuar, sepse ne si organ i pavarur i pushtetit gjyqësor nuk kemi mundësi ligjore për ndryshime madhore që do të sillnin ndryshimet e dëshiruara në sistemin gjyqësor, për atë është e nevojshme që të gjithë së bashku të punojmë për reforma rrënjësore dhe krijimin e një sistemi gjyqësor të pavarur të bazuar në vlera të mirëfillta.
v. Interpelanca nuk është në përputhje me angazhimet për pavarësinë e gjyqësorit në raport me pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv, pasise e njëjtaë është procedurë dhe instrument për kontroll politik mbi Qeverinë, apo mbi një bartës të funksionit publik. Kjo do të thotë se qëllimi parësor i interpelancës është vendosja e përgjegjësisë politike te bartësit e funksionit publik. Ky synim i interpelancës bie ndesh me pretendimet në të njëjtën, e cila u parashtrua, ndër të tjera, për shkak se ishte dëmtuar perceptimi publik i gjyqtarëve për pavarësinë e tyre, duke u nisur nga e drejta e qytetarëve për t’u gjykuar nga një gjyqtar i pavarur dhe i paanshëm. Kjo do të thotë se sipas logjikës së parashtruesve del se pavarësia e gjyqësorit duhet të sigurohet përmes procedurave dhe instrumenteve politike dhe pikërisht në raport me politikën. E cila në vetvete është e çuditshme, e palogjikshme dhe e pakuptimtë.
vi. Interpelanca e paraqitur është shumë e përgjithshme, konfuze, e paqartë dhe e pasaktë. Fakti që është paraqitur në lidhje me punën e një individi si anëtar i Këshillit Gjyqësor shtron një pyetje logjike nëse qëllimi i interpelancës është përcaktimi i përgjegjësisë individuale apo kolektive. Nëse synimi ka qenë përcaktimi i përgjegjësisë sime individuale, atëherë është e pritshme që i njëjti akt të përmbajë të paktën një përshkrim të shkurtër se cila është përgjegjësia ime për gjendjen e përgjithshme në gjyqësor, pra, cilat janë mangësitë e mia për situatën e rëndë që përshkruajnë parashtruesit në interpelancë, në mënyrë që unë si palë e prekur, të shpreh konkretisht mendimin dhe qëndrimin tim. Kështu, pa deklaruar të paktën diçka që mund të çojë në përgjegjësi personale, unë me të vërtetë nuk mund ta njoh veten në asnjë nga pretendimet që keni deklaruar në interpelancë.
vii. Ngritja e interpelancës vetëm për një pjesë të anëtarëve të Këshillit gjyqësor, e cila në esencë nuk mund të ndryshojë asgjë dhe as të ndikojë në përmirësimin e situatës në drejtësi. Përkundrazi, me këtë vendoset një praksë e pahijshme që edhe më tepër do ta rrënojë sigurinë instiucionale dhe juridike të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe bën goditje direkt mbi pushtetin gjyqësorë si pushtet i pavarur me rregullativën ligjore të shtetit tonë.
viii. Sipas parashtruesve të interpelancës, gjyqësori duhet të reflektohet në pavarësinë dhe paanësinë e tij në raport me pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv, por edhe në raport me partitë politike, organet e administratës shtetërore dhe të gjitha institucionet tjera. Këshilli Gjyqësor, si organ i pushtetit gjyqësor, duhet të sigurojë dhe garantojë pavarësinë dhe autonominë e gjyqësorit. Prandaj Kushtetuta dhe ligji kanë përcaktuar norma të caktuara që duhet të mundësojnë dhe garantojnë këtë qëndrim të Këshillit Gjyqësor. Në atë kuptim, Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë dhe Ligji për Këshillin Gjyqësor përcakton kohëzgjatjen e mandatit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, kushtet dhe procedurën për zgjedhje, si dhe kushtet dhe procedurën për përfundimin e mandatit dhe shkarkimin e anëtarit të Këshillit. Ai ligj në këtë rast është Ligji për Këshillin Gjyqësor, ku neni 31 përcakton se në cilin rast anëtarit të Këshillit Gjyqësor i përfundon mandati. Prandaj, nenet 104 dhe 105 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, të cilat e rregullojnë statusin, kompetencën dhe punën e Këshillit Gjyqësor, më konkretisht të përpunuar në Ligjin për Këshillin Gjyqësor, në fakt duhet të jenë garanci e pavarësisë dhe paanësisë në raport me pushtetin ligjvënës dhe ekzekutiv, por edhe në raport me partitë politike dhe organet e tjera të administratës shtetërore. Këto dispozita të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe të Ligjit për Këshillin Gjyqësor duhet të jenë bazë formale-juridike dhe garanci se pushteti gjyqësor do të jetë imun ndaj ndikimeve politike dhe të çdo ndikimi tjetër ose se kontrolli politik apo kontrolli tjetër nuk do të mund të ushtrohet mbi autoritetin gjyqësor. Por, interpelanca e paraqitur është në kundërshtim me këtë synim të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe Ligjit për Këshillin Gjyqësor.
ix. Grupi i deputetëve që ngritën interpelancën ndaj anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, deklarojnë se me të njëjtin akt kanë dashur të përmirësojnë pavarësinë dhe autonominë e gjyqësorit, duke mos marrë parasysh faktin kyç se ky akt është procedurë dhe instrument i kontrollit politik. Pra, në fakt, kuptimi i interpelancës është krejtësisht i shtrembëruar dhe në kundërshtim me qëllimin që kërkon të arrijë, apo, nëse synimi i së njëjtë është që të përmirësojë perceptimin e gjyqësorit si të pavarur në raport me politikën, ose të heqë gjyqësorin nga kontrolli i politikës, atëherë është e palogjikshme që kjo të bëhet pikërisht përmes një instrumenti të kontrollit politik siç është interpelanca. Në fakt, kjo është arsyeja që nga disa faktorë të jashtëm që monitorojnë gjyqësorin tonë, përfshirë edhe Bashkimin Evropian, interpelanca është vlerësuar si një ndërhyrje e legjislativit në drejtësi ose ndërhyrje e politikës në gjyqësor.
x. Të gjitha këto pretendime nga parashtruesit, edhe pse tentohet të bëhet njëfarë konkretizimi i gjoja se lëshimeve në punën e anëtarëve të Këshillit gjyqësor, janë shumë të përgjithshme, të nxjerra jashtë kontekstit dhe të pavërtetuara, me çrast disa prej të cilave shihet se janë si rezultat i mosnjohjes së situatës në gjyqësor. Nga ana tjetër, është e dukshme përpjekja e parashtruesve për të rishikuar disa procedura disiplinore të kryera nga Këshilli Gjyqësor ndaj gjyqtarëve të caktuar dhe për t’u përthelluar në arsyetimin e dënimeve të shqiptuara disiplinore për të cilat Këshilli Gjyqësor ka vendos si organ kolektiv. Është e palejueshme që dënimet e shqiptuara në këtë mënyrë të jenë objekt i procedurës së interpelancës, por në fakt paraqitja e tyre si “argument” në mbështetje të vetë interpelancës, paraqet një ndërhyrje të palejueshme në kompetencat e Këshillit dhe të pushtetit gjyqësor.
xi. Veçanërisht dëshiroj të theksoj se në këtë interpelancë mungon individualizimi i lëshimeve të bëra, ose më saktësisht treguesit specifik se cili është roli i Milazim Mustafës në raport me këto gjetje të paraqitura në interpelancë.
xii. Me këtë përgjigje nuk do të thellohem dhe nuk do të debatoj për të drejtën gjoja të garantuar me Kushtetutë të interpelancës ndaj anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi, e kuptuar si nismë për shkarkimin e tyre, pavarësisht se një qëndrim i tillë është në kundërshtim me nenin 31 të Ligjit për Këshillin Gjyqësor. Mirëpo, edhe nëse kjo interpelancë nuk kontestestohet nga këndvështrimi i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, mbetet fakti se ajo paraqet procedurë dhe instrument të kontrollit politik, që zbatohet për Këshillin Gjyqësor dhe anëtarët e tij, mund të kuptohet edhe si kërcënim për vlerën themelore të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë për ndarjen e pushtetit shtetëror në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, që ka shumë reagime nga ekspertët vendas dhe ata ndërkombëtar.
xiii. Unë personalisht i siguroj parashtruesit e kësaj interpelance, të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë si dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë se si anëtar i Këshillit Gjyqësor, kam punuar me ndershmëri, profesionalizëm dhe përkushtim për të garantuar një sistem të drejtësise të pavarur, efikas dhe të besueshëm. Akuzat që më atribuohen, duke më paraqitur si faktor negativ në rënien e besimit të qytetarëve në gjyqësor, janë të pabaza dhe nuk pasqyrojnë realitetin e përpjekjeve të mia për përmirësimin e gjendjes. Gjatë mandatit tim, kam vepruar konform ligjit dhe bindjeve të mia profesionale duke reflektuar standardet e larta të etikës profesionale, duke punuar në drejtim të forcimit të transparencës, llogaridhënies dhe pavarësisë së institucioneve gjyqësore.
xiv. Ndërhyrja e pushtetit legjislativ në punën e pushtetit gjyqësor është një precedent shqetësues që cenon ndarjen e pushteteve, një nga parimet themelore të demokracisë. Kjo interpelancë, e pa bazë dhe e paushale, nuk është vetëm një tentativë për diskreditimin tim personal dhe profesional, por gjithashtu një sulm ndaj pavarësisë së gjyqësorit në tërësi. Unë vazhdoj të jem i përkushtuar në misionin tim për një drejtësi të paanshme, të efektive dhe të besueshme.
xv. Duke ju falënderuar për kohën dhe vëmendjen tuaj, mbetem i hapur për çdo debat konstruktiv në Kuvend apo gjetiu që synon përmirësimin e sistemit tonë gjyqësor, por në asnjë moment për përplasje politike apo për të qenë pjesë e politikave ditore dhe populiste të partive politike që dëmtojnë parimet themelore të demokracisë sonë. E përsëris edhe njëherë se nuk ndjej përgjegjësi as morale e as çfarëdo përgjegjësie tjetër lidhur me punën time në Këshillin Gjyqësor, prandaj besoj se interpelanca e dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ndaj meje si anëtar i Këshillit Gjyqësor është e pabazë.