Narativi i VMRO-DPMNE-së për kryeministrin shqiptar – i gabuar!
Analisti Ibraim Memeti nuk ka dilema se në takimin e së hënë të liderëve, partitë do të dakordohen për datën e zgjedhjeve.
Sipas tij, dështimi për të votuar ndryshimet kushtetuese, nuk lë rrugëdalje tjetër.
“Deputetët e VMRO-DPMNE-së janë nën kontroll të lidershipit, nuk kanë autonomi personale, është një tragjedi për ata dhe demokracinë në vend. Të nënshkruash para një viti se nuk do të votosh një ligj apo çfarëdoqoftë – kjo është absurde, pa argumente. Kjo flet se ata janë nën kontroll të një njeriu dhe për këtë dëm do të ketë doemos”, tha analisti Ibrahim Memeti.
Sipas analistit, Albert Musliu, narativi i kohëve të fundit të VMRO-DPMNE-së, është i dëmshëm, sidomos kur është në pyetje qeveria teknike dhe Kryeministri Shqiptar.
“Tash ta nisish ti tërheqjen e qeverisë teknike që të mos bëhet Kryeministri Shqiptar, mendoj se është strategji e gabuar, pasi len pasoja. Do të duhet që pas zgjedhjeve të bisedoni me ndonjë parti. Nëse e keni qasjen ashtu mendoj se është e dëmshme për ata që e promovojnë dhe është e kotë”, u shpreh analisti Albert Musliu.
Të hënën në mesditë mbahet takimi I liderëve ku pritet të diskutohen temat që lidhen me zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare vitin e ardhshëm. Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje deklaroi se pret takim kontruktiv dhe pa shantazhe nga partitë politike. Sipas tij, për momentin nuk ka disponim për shfuqizimin e qeverisë teknike./KlanMacedonia