Gareth Bale e la të befasuar legjendën angleze Rio Ferdinand ku bëri parashikimet e tij për pjesën e mbetur të sezonit 2024/2025.
Bale ishte pjesë e ekipit të TNT Sports për ballafaqimin e së mërkurës në Ligën e Kampionëve mes Liverpoolit dhe ish-klubit të tij Real Madridit, aty ku anglezët fituan me rezultat 2-0.
Ish-reprezentuesi uellsian nuk e ka të panjohur këtë garë, pasi ai ka fituar pesë herë Ligën e Kampionëve me Realin, duke shënuar në dy finale ndaj Liverpoolit dhe Atletico Madridit.
Përveç diskutimit për ndeshjen mes këtyre dy ekipeve, Bale iu nënshtrua gjithashtu edhe disa pyetjeve nga Rio Ferdinand dhe përgjigjet e tij i lanë të befasuar të gjithë.
Ferdinand filloi duke e pyetur Bale se kush mendon ai se do të jetë fitues i Ligës së Kampionëve këtë sezon, me këtë të fundit që u përgjigj për Real Madridin.
Në vazhdim ai u pyet se kush do ta fitojë Këpucën e Artë të Ligës së Kampionëve këtë sezon dhe Bale u përgjigj pa hezitim Harry Kane.
Kur u pyet se kush do ta fitojë Ligën Premier këtë edicion të garave, ish-lojtari i Southamptonit u përgjigj për Liverpoolin.
Por, befasia më e madhe ishte kur në pyetjen se kush do ta fitojë Topin e Artë, Bale u përgjigj për Kylian Mbappe.
Duke marrë parasysh formën e dobët këtë fillim sezoni të Mbappes, duket e vështirë që me këtë ritëm ai ta fitojë Topin e Artë, megjithatë sipas uellsianit, është vetëm çështje kohe kur ai t’i lë pas këto vështirësi dhe ta shfaq versionin e tij më të mirë./Telegrafi/