Në emisionin Klan Debat në Klan Macedonia, kryetari i OEMVP-së, Mendi Qyra tha se në rritjen e inflacionin kanë ndikuar situatat globale të ndodhura në vitet e fundit. Ai tha se bojkoti nuk është zgjidhje, mirëpo edhe çmimet duhet të jenë reale dhe të mos abuzohet me çmimet.
“Pandemia, kriza enegjetike, lufta në Ukrainë dhe gjitha ngjarjet që ndodhën në këto vitet e fundit, ndikuan në rritjen e çmimeve. Ne si OEMVP mbrojmë kompanitë mirëpo mendoj që po, çmimet janë të rritura shumë. Ne mendojmë që bojkoti nuk është zgjidhje e duhur, sepse kemi edhe kompani të ndershme që punojnë me çmime reale. Ju vetë e patë edhe sipas raportit të DAP-it që nuk punojnë gjithë marketet njejtë, ndaj qeveria duhet të merr masa që të mos abuzohet me çmime”, tha Qyra.
Profesori universitar Visar Ademi tha se RMV-ja nuk është vend që ka produkte vendore, ndaj çmimet për produktet e importit gjithmonë kanë qenë më të shtrenjta.
“Inputin vendi jonë e ka shumë shtrenjtë, nuk kemi prodhime vendore. Ndaj kur kemi varësi nga importi, duke u nisur nga qumështi, mishi etj… mendoj që kjo pjesë është katastrofë për vendin tonë. Ne kemi produkte që importohen nga jashtë, qumësht apo miell apo mish nga shtetet e tjera. Ne jemi ekonomi e tregut dhe çdo lloj idiologjie kur shteti përcakton çmimin është e paimagjinueshme”, tha Ademi.
Profesori universitar Bujamin Bela tha se shteti duhet t’i subvencionoi bizneset e vendit sepse rregullimi i inflacionit merr kohë.
“Buxhetin në shtet e mbulojnë harxhimet në ushqim dhe energjetika. Shporta konsumuese nga 50 mijë denarë është rritur në 64 mijë denarë, ndaj unë jam i konceptit që të stimulohen bizneset, mirëpo rregullimi i inflacionin kërkon kohë sepse nuk rregullohet me shkop magjik. Shteti duhet të subvencionojë bizneset dhe inspektorati të luaj rolin e vet me kontrolle të detajuara”, tha Bela. /tvklan.mk