Ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir ka reaguar ashpër ndaj modeles Bella Hadid duke e konsideruar si një person që “urren Izraelin”. Hadid iu bashkua akuzave publike ndaj deklaratës së ministrit i cili thoshte se pushtuesit izraelitë kanë më shumë të drejta se sa arabët në territoret e pushtuara.
Ben-Gvir tha për televizionin izraelit se liria e lëvizjes për pushtuesit në Bregun Perëndimor peshon më shumë se të drejtat e palestinianëve. “E drejta ime, e drejta e gruas dhe fëmijëve të mi për të lëvizur rreth Judeas dhe Samarias është më e rëndësishme se sa liria e lëvizjes së arabëve. E drejta e jetës vjen përpara të drejtës së lirisë dhe lëvizjes”.
Deklarata solli një reagim të shpejtë nga izraelitët dhe palestinezët, të cilët thanë se është një provë e mëtejshme se Ben-Gvir, lideri i partisë ultranacionaliste Jude Power, që nxit racizmin dhe mbështet terrorizmin, është në krah të një sistemi të “supremacisë hebreje” në territoret e pushtuara.
Hadid, e cila ka prejardhje palestineze nga babai i saj, postoi në Instagram një video të deklaratës së ministrit shoqëruar me fjalët:
“Në asnjë vend, në asnjë periudhë, sidomos në 2023 s’mund të jetë jeta e dikujt më e vlefshme se sa e një tjetri. Sidomos thjesht për shkak të etnisë së tyre, kulturës apo urrejtjes së pastër”.
Ben-Gvir u kundërpërgjigj duke thënë se nuk do të kërkonte falje dhe do ta përsëriste të njëjtën gjë “edhe 100 herë të tjera”. Ai tha se modelja “urren Izraelin” dhe e akuzoi se postimi i saj ishte për ta bërë ministrin “të dukej i lig dhe racist”.
“Të ftoj në Kiryat Aba, të shohësh si jetojmë ne këtu, se si çdo ditë, hebrenj që nuk kanë bërë asgjë të gabuar në jetën e tyre, vriten”.
Bella nuk është përgjigjur ndaj kësaj ftese. Modelja dhe motra e saj, Gigi janë mbështetëse të të drejtave të palestinezëve dhe postimet e tyre arrijnë të shihen nga miliona ndjekës.