LSDM: HAPAT E ANTIKORRUPSIONIT JANË NË DREJTIMIN E DUHUR, KOHA PËR PROKURORINË
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) do të hetojë nëse ka konflikt interesi, nepotizëm dhe korrupsion në tenderët në Ministrinë e Transformimit Dixhital që i fitoi bashkëshorti i Sekretares Shtetërore, Gordana Klinçarova.
Ministri Stefan Andonovski në një konferencë të posaçme për tenderët tha se nuk e ka ditur se e kujt është kompania derisa e ka nënshkruar, por ka hetuar pasi ka parë mbiemrin. Kompania i plotësonte të gjitha kriteret, ndaj ai vendosi të firmoste në mënyrë që Ministria të mos përballej me procedime ligjore.
Sa i përket tenderëve për prokurimin e pajisjeve për konferenca, prezantime dhe IT të shpallura nga Ministria e Transformimit Dixhital, të cilët sipas pretendimeve të bëra në media i ka fituar bashkëshorti i Sekretares Shtetërore, i punësuar në të njëjtën ministri, ju njoftojmë se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka hapur një rast me iniciativë të saj, pas ankesës dhe njoftimit në media.
Nga LSDM kanë mirëpritur veprimin e shpejtë të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, i cili ka hapur lëndë për një rast të qartë të konfliktit të interesit, nepotizmit dhe korrupsionit lidhur me tenderët e fituar nga bashkëshorti i Sekretares Shtetërore Klinçarova në Ministrinë e Transformimit Dixhital. Është më se e qartë se ministri Stefan Andonovski është i përfshirë dhe përgjegjës kryesor për këtë rast. Hapi i KSHPK-së është në drejtimin e duhur, por tani është radha e Prokurorisë Publike – drejtësia duhet të vendoset!
“Faktet janë të qarta: kompania e bashkëshortit të Klinçarovës fitoi dy tenderë dhe ministri Andonovski fillimisht u përpoq ta fshihte dhe më pas ta arsyetonte këtë situatë skandaloze me arsyetime absurde. Ky nuk është vetëm një konflikt interesi – ky është një rast i qartë korrupsioni!” – thonë nga LSDM.
Rrjetet e tenderëve të VMRO-DPMNE-së duhet të ekspozohen dhe përgjegjësit të sanksionohen. LSDM nuk do të lejojë që kjo aferë të mbulohet – çdo aktor i këtij rrjeti kriminal duhet të mbajë përgjegjësi para ligjit! Presim veprime të menjëhershme nga Prokuroria, thonë nga LSDM. /tvklan.mk/