Sulmi me thikë në Ferizaj! Prokuroria jep detaje për rastin…

Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit F.I., për rastin e sulmit të katër personave me thikë në qytetin e Ferizajt.

Prokuroria ka bërë të ditur se ekziston dyshimi i bazuar se me datën 11 nëntor 2024 sulmi u krye me dashje për shkak të përkatësisë etnike, më saktësisht të komunitetit joshumicë ashkali.

“Dy vajzat janë të komunitetit ashkali, edhe një burrë tjetër. Edhe personi i katërt është ahkali, por shtetas i Shqipërisë”- tha kryeprokurori Shukri Jashari, në një sqarim në lidhje me komunikatën e Prokurorisë.

Fillimisht, sipas Prokurorisë, rreth orës 15:30 minuta, në rrugën “Rifat Berisha “ në Ferizaj, i dyshuari “me dashje ka tentuar t’i privoj nga jeta dy të mitura për shkak përkatësisë etnike.

Sipas Prokurorisë, “derisa të dëmtuarat kanë qenë duke ecur rrugës, i pandehuri që ishte duke ecur në këmbë gjithashtu në drejtim të kundërt, pasi që i kalon ato kthehet mbrapa dhe me hapa të shpejtuar ofrohet nga mbrapa dhe i godet disa herë në pjesën e shpatullave me një thikë kuzhine me mbishkrim ‘Berlinger House’ me gjatësi 32 cm dhe gjatësi të tehut prej 19 cm, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore”.

Poashtu, sipas Prokurorisë, “i pandehuri F.I., me datë të njëjtë rreth orës 15:05 minuta në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj, me dashje për shkak përkatësisë etnike, ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin N.M., në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ishte duke hyrë në kafiterinë ‘Verona’ , i pandehuri e sulmon me të njëjtën thikë duke e goditur në pjesën e kokës, të fytit dhe në faqen e djathtë, të cilit i shkakton lëndime të rënda trupore”.

Ndërsa, me datë të njëjtë, rreth orës 15:53, në rrugën “Halim Spahiu” në Ferizaj, i njëjti “me dashje për shkak përkatësisë etnike, ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin E.A, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ishte duke ecur në këmbë , i pandehuri e sulmon me të njëjtën thikë duke e goditur nga mbrapa në pjesën e shpatullave”.

Për këtë të fundit, me iniciale E.A, Prokuroria thotë se “i pandehuri i shkaktoi lëndime të rënda trupore” dhe me këtë “do të kryente veprën penale në vazhdim ‘vrasje e rëndë në tentativë’ nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.10, lidhur me nen 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.

Prokuroria ka njoftuar se i pandehuri me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.

I dyshuari për vrasje të rëndë në tentativë në Ferizaj, ishte dorëzuar në Policinë e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit të 12.11.2024.

Rasti i sulmit me thikë u bë ndaj katër personave: dy vajzave të mitura dhe dy burrave, në tri lokacione të ndryshme në Ferizaj.

Fillimisht, për shkak se i ishte “përshtatur profilit të të dyshuarit”, Policia kishte arrestuar një person tjetër, i cili më pas me aktvendim të prokurorit është liruar.

Siç bëhet e ditur, i dyshuari ka qenë i dënuar me burgim dhe siç mësohet nga burgu është liruar në shkurt të këtij viti, raporton Kallxo.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share