Policia ka konfirmuar sot lajmin e mbrëmshëm të Klan M në lidhje me arrestimin e tre personave, ku në incident është përfshirë edhe një zyrtar qeveritar. Sipas Policisë së Tetovës, tre persona u arrestuan mbrëmë për shkak të pengimit të policisë në kryerjen e detyrës dhe rrezikimit të sigurisë publike.
“Më 24.09.2024, në ora 21:45, në rrugën e ,,Ilindenit” në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë, për shkak të rrezikimit të sigurisë dhe pengimit të personit zyrtar në kryerjen e veprimeve zyrtare, kanë privuar nga liria personat N.M.(40) A.K.(35). ) dhe I.F.(33) të gjithë nga Tetova. Ata janë ndaluar në stacionin policor për procedurë të mëtutjeshme dhe kundër tyre do të vijojë parashtresa përkatëse” thonë nga SPB-TETOVË
Sipas informacioneve të siguruara nga Klan M nga burime brenda policisë së Tetovës, i pari që ka sulmuar policinë është personi me inicialet N.M., i njohur për disa vepra të tjera penale. Pas tij, për t’i ndihmuar në sulm, janë përfshirë edhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve është shoferi i zëvendësministrit të Kulturës, Sadat Sulejmani.
Pas marrjes së informacionit, ekipet e Klan M në terren kanë konfirmuar se zëvendësministri Sulejmani ka tentuar të ndërhyjë në punën e policisë dhe të fshehë rastin, duke ndihmuar personin e parë që ka sulmuar policinë. Zëvendësministri Sulejmani është parë duke hyrë dhe dalë nga Stacioni Policor në Tetovë, dhe më pas, së bashku me disa funksionarë të tjerë, është parë duke pritur në një restorant afër policisë së Tetovës deri në përfundimin e rastit.
Nuk dihet ende nëse i gjithë sulmi ndaj policisë ka ndodhur në sy të Zëvëndësministrit Sadat Sulejmani apo jo? /tvklan.mk