Nis vjeshta – Fundi i shtatorit sjell “mini” verën në RMV! Temperatura mbi mesataren për këtë periudhë të vitit

Pas një vere të thatë dhe me vapë afrikane, sot më 22 shtator në ditën e 267-të të vitit në Maqedoninë e Veriut dhe në hemisferën veriore, sipas kalendarit, nisi stina e vjeshtës që do të përfundojë më 21 dhjetor. Metereologët, për ditët e para të vjeshtës, paralajmërojnë një “mini” -verë.

Në vendin tonë dhe në hemisferën veriore, vjeshta nisi në orën 14.43 minuta. Dita e parë e vjeshtës është dita e 266-të e vitit dhe zgjat 12 orë e 9 minuta. Njëkohësisht në hemisferën jugore nis pranvera.

Vjeshta do të zgjasë 89 ditë, deri më 21 dhjetor në orën 10.20, kur sipas kalendarit do të fillojë dimri.

Në ditën e parë të vjeshtës, mëngjesi ka qenë më I freskët. Në Berovë ishte shënuar 1 gradë Celsius, kurse në Gjevgjeli 11 gradë.

Sipas metereologëve, pas një periudhe me mot të ftohtë për shtatorin, që u shoqërua me reshje të shpeshta shiu ku madje solli edhe borën e parë në viset më të larta për këtë sezon, gjatë periudhës nga 23 deri më 30 shtator, vijon periudha e motit më të ngrohtë me temperatura që do të jenë mbi mesataren për këtë periudhë të vitit.

Pritet mot kryesisht stabil dhe I thatë me shumë diell. Ndryshimi afatshkurtër I motit pritet natën e 24 shtatorit dhe të mërkurën, kur nga perëndimi, në territorin e vendit tonë, do të kalojë një valë e lagësht ajrore që do të rezultojë me reshje të përkohshme shiu dhe jostabilitet lokal.

Metereologët paralajmërojnë një mini-verë për fundin e shtatorit dhe fillimin e tetorit, me temperatura që do të tejkalojnë 20 gradë, kurse gjatë fundjavës së ardhshme në disa rajone të vendit edhe mbi 30 gradë Celsius. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share