Zhvillimet në Ukrainë/ Bombat ruse godasin Qendrën Tregtare në Kharkiv

Bombat ruse i kanë marrë jetën 14 personave dhe plagosën dhjetra të tjerë në një qendër tregtare në Kharkiv. Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky sërish bëri thirrje aleatëve perëndimorë për vendimarrje reale për të dërguar municione sa më shpejt në Ukrainë.

Bombardimet ruse në një qendër tregtare në Kharkiv , i morën jetën 12 personave dhe plagosën dhjetra të tjerë.

Guvernatori i rajonit të Kharkivit, Oleh Synyehubov, ka bërë të ditur se sulmi u krye me dy predha nga Rusia duke shkaktuar një zjarr masiv, tymi i të cilit u ngrit qindra metra në ajër. U deshën 16 orë për të shuar plotësisht zjarrin në qendër, i cili kishte shpërthyer në një sipërfaqe prej 13,000 metrash katrorë.

“Më shumë se 200 persona mund të kenë qenë brenda qendrës tregtare. Vetëm të çmendurit si presidenti rus Vladimir Putin janë të aftë të vrasin dhe terrorizojnë njerëzit në këtë mënyrë. Kur u themi liderëve botërorë se Ukraina ka nevojë për mbrojtje të mjaftueshme ajrore, kur themi se kemi nevojë për masa të vërteta vendimtare kjo gjë po kërkohet me urgjencë”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas gjatë javëve të fundit ka deklaruar se forcat ukrainase kanë siguruar kontrollin rreth zonave ku trupat ruse organizuan një inkursion këtë muaj në pjesët veriore të rajonit të Kharkiv. Komentet e Zelenskiy duket se bien në kundërshtim me komentet e zyrtarëve ruse, të cilët janë shprehur se ushtarët rusë tanimë kontrollojnë më shumë se gjysmën e territorit të qytetit të Vovchansk, 5 km brenda kufirit.

Megjithatë sulmi i fundit në Kharkiv është një tjetër shenjë se forcat ruse duket se po përfitojnë nga një dritare mundësie për të shtyrë ofensivën e tyre, ndërkohë që Ukraina pret që armët e tjera perëndimore të mbërrijnë në front. Në një samit në Itali ministrat e financave të G7 mbështetën idenë e përdorimit të fitimeve nga asetet e ngrira ruse për të financuar përpjekjet luftarake të Ukrainës. Sipas një propozimi amerikan, G7 dhe aleatët e saj do të përdorin asetet e ngrira ruse të mbajtura në bankat perëndimore. Ideja do të diskutohet më tej muajin e ardhshëm.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share