Në mbrojtje këngëtarja izraelite. Autoritetet në Suedi janë në gatishmëri të plotë pas tensioneve që i paraprinë gjysmëfinales së Eurovision.
Këtë vit ka pasur thirrje që Izraeli të përjashtohej për shkak të fushatës ushtarake kundër Hamasit.
“Në këto momente, njerëzit në Rafah po vriten dhe në të njëjtën kohë ne do të kemi një konkurrente nga Izraeli. Këtu nuk është e drejtë”,Jeannette Escanilla, aktiviste.
Dhjetëra mijëra protestues pro-palestinezë pritet të jenë të pranishëm. Përfaqësuesja e shtetit hebre, 20-vjeçarja Eden Golan u detyrua të strehohej në dhomën e saj të hotelit përgjatë kohës që nuk performonte, për arsye sigurie.
“Kam një ekip të mirë sigurie dhe mendoj se njerëzit kanë të drejtë të thonë atë që duan. Por jam e fokusuar tek gjërat e mira”,Eden Golan, përfaqësuese e Izraelit në Eurovision.
Këngëtarja izraelite u detyrua megjithatë të ndryshonte titullin e këngës të quajtur “Shiu i Tetorit”, një referim ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor.
Flamujt palestinezë janë të ndaluar, pasi konkurrenti suedez, Eric Saade, babai i të cilit është me origjinë palestineze, veshi shallin tradicional në performancën e hapjes së eventit.
Shalli në fjalë është kthyer në një simbol ndërkombëtar të ndjesisë pro-palestineze. Finalja e festivalit do të mbahet këtë të shtunë.