Kasami: E ulëm çmimin e mbeturinave në disa zona, duke e lehtësuar barrën e pagesës për qytetarët

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka njoftuar sot në një konferencë për shtyp për uljen e çmimeve të shërbimeve komunale dhe përmirësimin e faturave për qytetarët.

Në fokus të konferencës për shtyp ishin ndryshimet në faturimin e mbeturinave, ujit për pije dhe kanalizimit, pasi gjatë grumbullimit të të dhënave janë vërejtur disa lëshime dhe për të cilat ka pasur edhe ankesa nga ana e qytetarëve..

Në një përpjekje për të rritur transparencën dhe efikasitetin, Kasami prezantoi metodologjinë e re të faturimit të mbeturinave, e cila u arrit në bashkëpunim me kompaninë për menaxhimin e mbeturinave, Saubermacher. Sipas kësaj metodologjie, çmimet për mbeturinat do të ulen në disa zonat, duke e lehtësuar barrën e pagesës për qytetarët. Në fshatrat e Malësisë së Tetovës, çmimi për mbeturinat do të jetë 340 DEN, ndërsa në fshatrat e të tjera si Reçicë të Madhe, Reçicë të Vogël, Poroj, Xhepçisht, Falisht dhe Saraqinë, çmimi do të jetë 540 DEN.

Kasami gjithashtu njoftoi se për faturat e muajit SHKURT, pagesa për ujë dhe kanalizim do të fshihet dhe i bëri thirrje qytetarëve të paguajnë pjesën e mbetur të faturës.

Në përfundim, Kasami bëri të ditur se NP “Sharri” është e detyruar të sigurojë orëmatës për llogaritjen e ujit brenda vitit dhe se në të ardhmen faturimi do të bazohet në shpenzimet për çdo abonent. Këto ndryshime synojnë të përmirësojnë shërbimin dhe të lehtësojnë barrën e pagesës për qytetarët e Tetovës.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share