Frontit Evropian sot iu bashkua edhe Partia Demokratike e Turqve. Marrëveshje mes kësaj partie dhe BDI-së u nënshkrua sot në Gostivar. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti tha se, me Marrëveshjen e Ohrit ka ndryshuar statusi politik dhe juridik edhe i të gjitha komuniteteve tjera që jetojnë në vend.
“Po bëhet një marrëveshje vërtet historike për dy komunitetet tona edhe për shqiptarët edhe për turqit. Gzimin e dytë e kam sepse, 22 vjet po bëj përpjekje për një front të tillë dhe pas 22 vjetësh, çerek shekulli, po realizohet”, tha Ali Ahmeti.
Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike Turke, Bejxhan Iljaz tha se, ka pranuar të bëhet pjesë e këtij fronti, pasi i kanë ofruar pozicione që komuniteti turk nuk i ka pasur asnjëherë në vend.
“Ne kërkojmë mbështetje edhe prej maqedonasve, edhe prej boshnjakëve, romëve dhe vllehëve. Ne si front evropian do të kemi lista edhe te njësia zgjedhore 4 edhe te njësia zgjedhore 3. Te njësia zgjedhore 4 nuk ka shqiptarë, por ka qytetarë të RMV-së dhe mendoj se edhe ato do të na japin mbështetje në këtë rrugëtim tonë”, tha Bejxhan Iljaz.
Duke komentuar deklaratën Zijadin Selës se, nëse bëhet pjesë e Frontit Europian, synojnë që si parti të sigurojnë minimumi 5 deputetë në zgjedhjet parlamentare, Ahmeti tha se, nuk i rrezikojnë projektet e mëdha për numra.
“Për gjëra të vogla projektet e mëdha ne asnjëherë as nuk i cenojmë as nuk i lëndojmë. Kështu që, nuk bëhet fjalë këtu për numra, bëhet fjalë për filozofi, për vizione dhe për ardhmëri”, tha Ahmeti.
Kujtojmë se, me Frontin Evropian deri më tani kanë nënshkruar marrëveshje Lëvizja Populli, PDE, PDSH dhe partia e romëve./tvklan.mk