Gjykata e Apelit në Beograd ka liruar nga akuzat, Radomir Markoviqin, Milan Radonjiqin, Miroslav Kurakun dhe Ratko Romiq për vrasjen e gazetarit serb, Slavko Quruvija.
Duke i miratuar ankesat e palës mbrojtëse dhe pjesërisht të prokurorisë, gjykata ndryshoi aktvendimin e shkallës së parë dhe liroi Markoviqin nga akuzat se e ka kryer veprën penale – nxitje për vrasje të rëndë, kurse tre të tjerët se kanë qenë bashkë ekzekutorë të vrasjes.
Gjykata e Apelit në Beograd ka konkluduar se krahas të gjitha provave të prezantuara, në procedurë nuk ëhstë konstatuar ekzistimi i grupit të organizuar kriminal, e as që është konstatuar se kush, kur dhe ku ka marrë pjesë në planin për likuidimin e pronarit, drejtorit dhe kryeredaktorit të “Dnevni Telegraf” dhe javores “Evropiani”, Slavko Quruvija.
Quruvija ishte vrarë më 11 prill 1999 në hyrje të ndërtesës së tij, gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s në Serbi.
Ai kishte qenë i ndjekur nga Sigurimi I shtetit serb që nga tetori 1998, kurse pesë ditë para vrasjes në gazetën ditore “Politika ekspres” u publikua teksti me titull “Quruvija mirëpret bombat”, që në natën e njëjtë ishte lexuar në lajmet qendrore të RTS-së./tvklan.mk