Në Toronto të Kanadasë u zhvillua sot eventi UFC-297 në artet marciale mikse. Një event me dy duele për titull dhe me dy kampionë të rinj, që shkëlqyen me paraqitjen e tyre.
Për meshkuj, afrikano-jugori Dricus du Plessis (21 fitore, 2 humbje) është kampioni i ri i botës në peshën e mesme. Ai mundi me vendim jo-unanim të gjyqtarëve rivalin amerikan Sean Strickland (28 fitore, 6 humbje).
Strickland dorëzon kështu titullin e fituar pak kohë më parë, ndërsa Du Plessis vendos për herë të parë në brez kurorën. Dy nga gjyqtarët i dhanë atij fitoren (48-47, 48-47), ndërsa një për amerikanin (48-47).
Kjo tregon për rivalitetin e madh në kafaz, ku në 5 raunde nuk munguan grushtet, bërrylat e shkelmat nga ana e të dy sportistëve. Një spektakël i vërtetë që emocionoi pa masë publikun.
Për femrat, luftëtarja amerikane Raquel Pennington (16 fitore, 8 humbje), është kampionia e re e botës në peshën “bantamweight” (pesha deri 62kg). Ajo mundi me vendim unanim të gjyqtarëve (49-46, 49-46, 49-45) rivalen braziliane Mayra Bueno Silva.
Fitore e merituar për Pennington, që në mundësinë e dytë që iu dha në karrierë për të dueluar për titullin ia doli mbanë ta rrëmbejë atë. Titulli i këtij divizioni ishte vakant. Amerikania e dominoi duelin në të 5 raundet dhe meritoi titullin.