Anes Meliqi ka nënshkruar kontratën e parë profesionale me klubin.
Me një eksperiencë të dalluar në moshat e reja kuqezi, mbrojtësi 18-vjeçar tashmë një periudhë stërvitet me ekipin e parë, ka zhvilluar disa paraqitje në ndeshje kontrolluese, duke treguar aftësi të shkëlqyera dhe pasion për lojën. Meliqi luan edhe me përfaqësueset e shpresave të Maqedonisë, madje duke bartur edhe shiritin e kapitenit te gjenerata U17.
Kontrata, e cila ka një afat prej 3.5 vitesh, shënon një kapitull të ri në karrierën e Anes Meliqit me Shkëndijën. Klubi është i lumtur që ka mundësinë të zhvillojë talentin e tij dhe të kontribuojë në zhvillimin e futbollit në nivel lokal dhe ndërkombëtar.
“Kjo kontratë ka shumë domethënie për mua.Ndjenja është e mrekullueshme. Jam shumë i kënaqur sepse, që kur isha fëmijë, e kam ëndërruar këtë moment. Të them tani se jam një futbollist profesionist është një ëndërr e bërë realitet për mua dhe dua vetëm të falënderoj të gjithë stafin dhe të gjithë ata që më kanë mbështetur. Premtoj se do të jap gjithçka nga vetja për t’ua kthyer besimin me paraqitje në fushë”, deklaroi tejet i emocionuar, Anes Meliqi pas firmosjes së kontratës së parë profesionale në karrierën e tij.