PARTIZIMI DHE NEPOTIZMI JANË ARSYE PËR DHUNËN E SHKAKTUAR KOHËN E FUNDIT
Para zgjedhjeve gjithmonë ndodhin ngjarje dhe incidente të cilat jo detyrimisht janë të rastësishme. Kështu vlerëson analisti Qenan Aliu për Klan M, i cili shton se në ngjarje të këtilla shpesh herë mund të kenë gisht majat e pushtetit që kontrollojnë shoqërinë.
“Në Maqedoninë e Veriut janë të dëshmuara, janë të provuara se kur fillojnë zgjedhjet në fakt pak para se të shpallet data e zgjedhjeve parlamentare apo zgjedhjeve të tjera këtu ndodhin çudira. Ndodhin vjedhje të postave, ndodhin zjarre të ndryshme, ndodhin rrahje të ndryshme, ndodhin ikje, arratisje nga burgu dhe ndodhin çudira tjera. Andaj këto nuk janë çështje të rastit. Në një atmosferë të tensionuar politike asgjë nuk është rastësisht. Gjithçka duket e sinkronizuar me majat e pushtetit të cilët kontrollojnë thuajse çdo pore të shoqërisë” – tha Qenan Aliu, analist politik.
Analisti Aliu thotë se edhe rastet e fundit në M-NAV, rrahjet e Policëve në Tetovë e shumë ngjarje të tjera, mund të mos jenë ndodhi të rastësishme.
“Kështu ka pasur edhe në të kaluarën që ndodhin, militant të partive që kanë veshur uniforma dhe ata ndajnë pazaret e tyre për hir të “mbrojtjes” të një autoriteti të partisë së tij. Të gjitha këto janë sipas mendimit tim dhe e vërtetuara janë të gjitha që kanë të bëjnë me nepotizmin, që ka të bëjë me partizimin e institucioneve dhe që kanë të bëjë me politizimin e skajshëm të institucioneve. Është aq më e shëmtuar, kjo që ndodhi në kullën e kontrollorëve ku vërtetë është një rast i rrezikshëm që bënë edhe qytetari të ketë dyshim për sigurinë e tij kur ai gjendet në qiell” – tha Qenan Aliu, analist politik.
Sipas Analistit Qena Aliu ajo që ndodhi në kullën e kontrollorëve ishte me të vërtetë një rast i shëmtuar. /KlanMacedonia/