Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup mbrëmë vonë ua ka caktuar masën e kujdesit katër personave të dyshuar për rrezikim të sigurisë së komunikacionit ajror, lidhur me sulmin në M-NAV. Siç përcjell KlanM, në mesin e këtyre personave është edhe Bekim Neziri, ish-ministër, këshilltar aktual i drejtorit të M-NAV-së dhe kryetar i BDI-së në Çair.
Megjithëse Prokuroria Themelore Publike kishte kërkuar masë paraburgimi për të katër të dyshuarit, gjyqtari i procedurës paraprake ka caktuar masë më të lehtë kujdesi. Prokurori kompetent, siç përcjell KlanM, e arsyetonte kërkesën për paraburgim për shkak të rrezikut të ndikimit tek dëshmitarët dhe hetimet, si dhe për ekzistimin e shkaqeve të dyshimit për arratisje.
Sipas vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, katër të dyshuarit ndalohen të udhëtojnë jashtë shtetit duke ua marrë dokumentet e udhëtimit dhe duhet të paraqiten në orare të caktuara tek personi zyrtar përkatës./KlanMacedonia