Krishtlindja festohet nën bomba në Ukrainë
Besimtarët e krishterë në gjithë botën përkujtojnë me festime ditën e lindjes së Krishtit. Papa Françesku drejtoi meshën e mesnatës në Bazilikën e Shën pjetrit në Romë, në prani edhe të qindra besimtarëve nga e gjithë bota.
Mesazhin e natës së shenjtë ia dedikoi vuajtjeve në tokën ku lindi Krishti.
“Sonte, zemrat tona janë në Betlehem ku Princi i Paqes refuzohet edhe një herë tjetër nga mendja për luftë, nga përplasjet me armë që edhe sot e pengojnë atë të gjejë vend në këtë botë”.
Të krishterët katolikë zhvilluan meshën e Krishtlindjes edhe në kishën e lindjes në Betlehem.
Në qytetin e lindjes së Krishtit, festa nuk ndihet shumë pasi banorët e krishterë në Bregun Perëndimor janë solidarizuar me vuajtet e civilëve në Rripin e Gazës, territorin e shkëputur jugperëndimor palestinez që po përballet me luftën izraelite kundër Hamasit.
Krishtlindja e këtij viti erdhi ndryshe në një tjetër vend në luftë, në Ukrainë. Për të parën herë, vendi me shumicë të krishterësh ortodoksë kremton lindjen e Krishtit më 25 Dhjetor si në Perëndim, pas dekretit të Presidentit Zelenski për të braktisur trashëgiminë ruse ku Krishtlindja festohet në Janar.
Në mesazhin e tij të rastit, Volodimir Zelenski shprehu bindjen se ukrainasit, pak nga pak po triumfojnë ndaj atyre që i quajti “pushtues rusë“.
Tv Klan