Duka: Si u projektua “Euro 2024”

Presidenti i FSHF tregon se kualifikimi u arrit falë strategjisë “Futbolli për kombin”

Presidenti i FSHF Armand Duka shprehet se kualifikimi i Kombëtares në “Euro 2024” nuk është një rastësi.

Kreu i institucionit të futbollit tha se ky objektiv ishte shpallur që në shpalosjen e strategjisë së FSHF, “Futbolli për Kombin 2022-2025”.

Kreu i FSHF në një intervistë për “TribalFootball” rrëfen rrugëtimin e tij në krye të FSHF-së, transformimin e infrastrukturës dhe investimin e bërë për krijimin e një administrate sa më të mirë dhe profesioniste.

“Që nga dita e parë nuk e kemi menduar kurrë që në vitin 2023 do ta mbyllnim të parët në Grupin E, të merrnim 4 pikë ndaj Çekisë, për të pasur këto lloj rezultatesh edhe në nivel administrativ ndërkombëtar ishte pothuajse e pamundur për mua. Do të gënjeja nëse do të thoja se e mendoja që një ditë do të isha Zv/Presidenti i UEFA-s dhe se Kombëtarja shqiptare do të ishte në këtë nivel. Por unë që nga dita e parë kam punuar me përkushtim dhe pasion të madh, për të përmirësuar FSHF-në, strukturën e organizimit, infrastrukturën dhe për të arritur rezultate të mëdha me Kombëtaren”.

Kreu i FSHF tregon ndryshimin mes kualifikimit të parë në Europian në 2016 me atë të Euro 2024.

“Kualifikimi në “Euro2016” ishte ndryshe sepse ndodhi pas ngjarjeve të ndeshjes në Beograd kundër Serbisë. CAS-i na dha 3 pikë, por edhe kundërshtarit iu zbritën 3 pikë si penalitet. Në këto kualifikuese ne ishim skuadra më bindëse në rezultat dhe për mënyrën se si luajtëm. Ne ishim superiorë ndaj të gjithë kundërshtarëve. Shqipëria e De Biasit ishte një ekip mbrojtës, që përdorte kundërsulmin dhe e bëri shumë mirë. Shqipëria e Silvinjos është ndryshe, ka në filozofi një futboll sulmues”.

Duka tha se lojtarët janë përzgjedhur duke i dhënë shumë rëndësi të qenit njerëz të mirë.

Ai vuri në dukej faktin se kombëtarja luan në një stadium të madh si ‘Air Albania’ dhe ka një kompleks të mrekullueshëm stërvitor. Në të kaluarën ai kujtoi se lojtarët e Kombëtares për shkak të kushteve kanë sakrifikuar shumë.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share