Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Në këtë takim, Osmani dhe Sarrazin, biseduan rreth zhvillimeve të fundit në veri pas sulmit terrorist të grupeve kriminale serbe që rezultoi me vdekjen e një polici dhe lëndimin e disa tjerëve.
Osmani tha se veprimet terroriste dhe akti i agresionit në veri janë të orkestruara dhe zbatuara nga struktura të mbështetura nga Beogradi.
“Veprimet e tilla përbëjnë cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe për këto veprime duhet sanksionuar Serbinë”, tha Osmani.
E para e vendit shtoi se Kosova ka ndërmarrë veprime muajt e fundit për ta shtensionuar situatën në veri të vendit.
“Policia e Kosovës ka treguar profesionalizëm të lartë në përballje me grupet kriminale serbe”, theksoi ajo.
Ajo theksoi rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë dhe koordinimit të vazhdueshëm me ta në përpjekje për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.
“Veprimet e Policisë së Kosovës kundër strukturave ilegale e grupeve kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, tha presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.