Kosovë / Kreu i SBASHK, Jasharaj kundër testimit të mësimdhënësve: Është nënçmuese e degraduese

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jashari, ka ripërsëritur faktin se kjo sindikatë nuk do ta pranojë asnjë herë testimin me shkrim të njohurive të mësimdhënësve, sepse sipas tij, testi me shkrim është nënçmues dhe degradues për mësuesit.

Sipas tij, për përmirësimin e cilësisë kjo Sindikatë ka kërkuar nga Qeveria që të shtojë stafin e inspektorëve profesional, por që sipas tij, ata nuk i janë përgjigjur kësaj kërkese.

Jashari tha se testim për mësimdhënës nuk ka pasur në të kaluarën dhe nuk do të ketë, pasi sipas tij, mësimdhënësit janë testuar me dhjetëra herë në Fakultetin e Edukimit.

“SBAShK-u e ka thënë tani e sa vite edhe kur kanë qenë ministrat tjerë dhe është i prerë, ne duhet t’i dallojmë dy gjëra teste me shkrim për njohurit e mësimdhënësve të Kosovës nuk ka pas, nuk ka edhe nuk do të ketë sa të ka SBAShK dhe sa të është kryetar Rrahman Jasharaj. Sepse është test denigrues, nënçmues, këta njerëz që janë në sektorin e arsimit janë testuar dhjetëra here në Fakultetin e Edukimit, e kanë marr nota, kanë marr diploma”, tha ai.

Ai tha se kanë kërkuar nga Qeveria që rritjen e cilësisë në arsim ta bëjë duke e rritur numrin e inspektorëve profesional.

Sipas tij, këta inspektor do të monitoronin mësimdhënësit në orët e mësimit se si po punonin më nxënësit, dhe të metat që do të mund t’i vërenin tek mësimdhënësit, do t’i këshillonin ata se si t’i tejkalojnë këto të meta.

“Ne kemi kërkuar që Qeveria nuk donë ta bëjë, nuk donë ta rris cilësinë, kemi kërkuar që të shtohet stafi te inspektoret profesional, që inspektorët profesional të lëndëve por edhe të mësuesve të shkojnë në klasa ta shohin nga afër mësimdhënësin se si po punon dhe të metat eventuale që ja shohin ta këshillojnë që ato të meta ti tejkaloj. Në këtë mënyrë mësimdhënësit e Kosovës do të bëheshin nesër më të mirë se sot sepse do t’i hiqeshin të metat që ata mendojnë që janë mirë”, tha ai.

Jashari tha se mësimdhënësit punojnë shumë, por që nuk i kanë kushtet që do të duhej që t’i kishin në shekullin 21, sipas tij, ata ende punojnë me shkumësa, shpuza e libra të vjetër.

“Ka mësimdhënës në Kosovë që thotë populli llomitet duke punuar dhe shumica të tillë jonë, por kushtet në shkolla janë tepër të pakta për shekullin 21, shkumësa dhe shpuza, libra të vjetër e të rijnë dhe ata mësimdhënës shumë kanë nevojë dhe ata kanë dëshirë që të shkojnë inspektoret profesional në klasa në mënyrë që të metat që i kanë dhe i përsërisni dita e ditës t’i heqin. Këto të meta duhet t’i kishin hequr nga këshillat që do të i’u japinin ekspertët e arsimit gjegjësisht inspektorët profesional”, tha ai.

Jashari tha se për cilësinë e dobët në arsim do të duhet që të thirren profesorët e Fakultetit të Edukimit, pasi sipas tij, nga aty dalin mësimdhënësit.

“Test me shkrim kurrë, sepse është nënçmues dhe degradues dhe ata që mendojnë për teste së paku ish dashtë t’i thirrin profesorët e Universitetit, gjegjësisht Fakultetit të Edukimit e t’i kritikojnë nëse arsimi qenkan i dobëte atëherë prodhimi në arsim është pikërisht nga Fakulteti i Edukimit. Këta mësimdhënës kanë diplomë dhe nuk është mirë të i’u vihet në pikëpyetje diploma. Gjithmonë duhet të përcjellën në punë mos t’i lëmë ata të ndihen komod të shkojnë inspektoret të ju thonë këtu jeni i mirë, këtu je i shkëlqyeshëm, këtu je i dobët dhe këtë gjë duhet ta përmirësosh”, tha ai.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share