Policia serbe ka gjetur 300 migrantë dhe një sasi të madhe të armëve në një zonë pyjore pranë kufirit me Hungarinë, tha Ministria e Brendshme serbe më 1 gusht.
E ashtuquajtura Rruga Ballkanike për migrantë, që kalon përmes Turqisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, është rruga kryesore që migrantët dhe refugjatët përdorin për të arritur në Bashkimin Evropian (BE). Kjo rrugë po ashtu përdoret edhe nga rrjetet e trafikimit.
Në njofim u tha se 13 migrantë janë arrestuar në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, ndërkaq 27 të tjerë janë përballur me kundërvajtje.
“Gjatë kontrolleve në zonën nga vendbanimi Hajdukovo për në Stara Karaula, në pyllin Jasenovac dhe në kampin Omar, janë gjetur nëntë pushkë automatike, një pushkë gjuetie, tri pistoleta dhe 841 pjesë të municionit”, tha Ministria e Brendshme e Serbisë.
Migrantët, në bashkëpunim me policinë dhe komisariatin serb për refugjatë dhe migrantë, u transportuan në qendra të pranimit, ku iu ofrua akomodimi i duhur.
Banorët e zonës afër Suboticës, që gjendet pranë kufirit me Hungarinë, më herët kishin raportuar për të shtëna në zonën pyjore.
Në qershor të vitit 2023, tre persona u plagosën nga të shtënat afër Suboticës. Policia më pas arrestoi dy persona për këtë rast.
Gjatë një konfrontimi mes grupeve të trafikantëve, që ndodhi korrikun e vitit të kaluar në po të njëjtin vend, u vra një person dhe disa të tjerë u plagosën.
Pavarësisht kontrolleve të ashpra dhe kthimit të tyre mbrapsht, migrantët vazhdimisht tentojnë të arrijnë në BE përmes kufirit me Serbisë dhe Hungarisë.
Hungaria ka ashpërsuar masat në kufi dhe ka ndërtuar edhe një barrierë përgjatë kufirit që ndan me Serbinë dhe Kroacinë, që është 175 kilometra i gjatë.
Radio Evropa e Lirë kishte raportuar në korrik të vitit 2022 se trafikantët kërkojnë nga migrantët 7 deri në 10 mijë euro për t’i dërguar deri në shtetet e BE-së.
Ndërkaq, sipas ligjeve në Serbi, persona që mundësojnë kalimin ilegal të kufirit mund të dënohen nga gjashtë muaj deri me 5 vjet burgim, ndërkaq dënime më të ashpra ka për personat që janë anëtarë të grupeve të organizuara kriminale.