Europa jugore nën valën e të nxehtit

Sardenja do të shënojë 48 grade, Italia lëshon alarmin e kuq 

Evropa jugore vazhdon të jetë e përfshirë nga një valë e të nxehtit me temperatura që parashikohet të shkojnë deri në 48 gradë. Ministria italiane e Shëndetësisë lëshoi një alarm të kuq për 16 qytete përfshirë Romën, Bolonjën dhe Firencen për fundjavën.

Por sipas meteorologëve më e keqja nuk ka ardhur ende. Kjo pasi vala e të nxehtit pritet të vazhdojë edhe javën e ardhshme, me temperatura që do të arrijnë deri në 48 gradë Celsius në Sardenja të Italisë.

Sidoqoftë, një temperaturë e tillë do të ishte më pak se rekordi evropian prej 48.8 gradë Celsius, i cili u regjistrua në Siçili në Gusht 2021.

Qeveria italiane ka këshilluar këdo në zonat e përfshira nga alarmi i kuq i që të shmangë daljen nga ora 11:00 deri në 18:00 dhe të kujdeset veçanërisht për të moshuarit ose personat më të dobët.

Temperaturat do të arrijnë një kulm midis 19 dhe 23 Korrikut, jo vetëm në Itali, por edhe në Greqi, Turqi dhe Ballkan. Si pasojë e temperaturave të larta Akropoli në Athinë, atraksioni më i njohur turistik në Greqi, u mbyll gjatë orëve më të nxehta për të mbrojtur vizitorët.

Temperaturat e larta në shumë vende janë shoqëruar edhe me zjarre të mëdha.

Mijëra banorë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre në Ishujt Kanarie ndërsa zjarrfikësit u përpoqën të vënë nën kontroll një zjarr, i cili deri më tani ka djegur një sipërfaqe prej 4,500 hektarësh pyje dhe dhjetëra banesa.

Flakët u përhapën për shkak të shpejtësisë së erës, kushteve klimatike si dhe valës së të nxehtit që ka goditur Europën.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share