Shqipëria heq vizat për të huajt në fushën e IT

Shqipëria heq vizat për të huajt që do të vijnë për të punuar në fushën e IT në Shqipëri. Sipas një vendimi të qeverisë, shtetasi i huaj mund të qëndrojë për një vit pa të drejtë vize në vendin tonë.

Për ekspertët, ky vendim i qeverisë vlerësohet pozitivisht për vetë sektorin, për ekonominë e vendit, ku tashmë punonjësit e IT kanë paga shumë të larta.

“Është një lajm pozitiv, pasi sektori i IT ka qenë një sektor që është konsideruar me prioritet në Shqipëri, para disa vitesh ka patur edhe një lehtësi fiskale për sektorin e IT ku tatohej më pak, tatim fitimi ka qenë më i ulët se sektorë të tjerë të ekonomisë. Kohët e fundit është vënë re që rritjet e pagave në sektorin e IT ka pasur ritme shumë të larta, duke bërë që nëse një programues para 3 vitesh merrte 1 mijë euro sot merr 2500 euro bruto”.

Sipas vendimit të qeverisë, të huajt të cilët punojnë pa vizë në Shqipëri, kanë të drejtë që pas një viti të aplikojnë me procedura të thjeshtëzuara për pajisjen me leje qëndrimi. Por për ekspertët sfida kryesore është mbajtja e kësaj force pune në Shqipëri.

“Kjo nismë duhet të pasohet me disa nisma të tjera, që këta punonjës të mos e shikojnë Shqipërinë si trampolinë për të kaluar në vendet e tjera të BE”.

Pak kohë më parë, qeveria miratoi përjashtimin e taksave të këtyre individëve deri në 1 vit, si lehtësi që e bën Shqipërinë më tërheqëse “për nomadët digjitalë”.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share