Ukraina dhe Suedia në qendër të samitit në Vilnius

Kievi kërkon që Ukraina të pranohet në NATO, 16 vende aleate kanë armatime dhe trupa për të siguruar samitin

Udhëheqësit e NATO-s mblidhen në Vilnius të martën dhe të mërkurën mes agresionit rus dhe kërkesës së Ukrainës për t’u anëtarësuar në aleancën ushtarake.

Presidenti i SHBA Joe Biden, presidenti turk Tayip Erdogan, kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Rishi Sunak do të jenë midis 31 udhëheqësve të NATO-s që do të marrin pjesë në samitin në shtetin e vogël baltik. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjithashtu pritet të marrë pjesë në samit.

Anëtarët e NATO-s në Evropën Lindore kanë shprehur mbështetje të fortë për qëndrimin e Ukrainës, duke argumentuar se futja e Kievit nën ombrellën e sigurisë së aleancës është mënyra më e mirë për të parandaluar një luftë tjetër duke penguar Rusinë të sulmojë përsëri.

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, kanë qenë shumë më të kujdesshëm, ndaj çdo lëvizjeje për të cilën kanë frikë se anëtarësimi i Ukrainës në një kohë kaq të shkurtër në aleancën ushtarake mund ta tërheqë NATO-n në një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë, duke shkaktuar potencialisht një luftë globale. Në samit shtetet pritet të paraqesin paketë ndihme ushtarake për Ukrainën për të ndihmuar forcat e armatosura të Kievit.

Në axhendën e diskutimeve mes liderëve është edhe pengesa që po krijon Turqia dhe Hungaria për anëtarësimin e Suedisë në NATO. Por presidenti turk Tajip Erdogan, në një lëvizje të papritur, këtë të hënë deklaroi se Bashkimi Evropian duhet të hapë rrugën për pranimin e Ankarasë në bllok përpara se parlamenti i Turqisë të miratojë ofertën e Suedisë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s.

“Ne themi, hapni rrugën e Turqisë drejt Bashkimit Evropian fillimisht, pastaj siç bëmë më parë për Finlandën, do t’i hapim rrugën edhe Suedisë. Këtë ia shpreha Joe Biden në një telefonatë dhe më duhet ta nënvizoj përsëri në Vilnius. Siç e dini, vendimi përfundimtar mbi procesin e anëtarësimit të Suedisë në NATO është në duart e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë. Nuk mund të merret asnjë hap përpara se Asambleja Kombëtare të marrë një vendim.” Përpjekja e Turqisë për t’u bashkuar me BE-në është ngrirë për vite me rradhë  pasi bisedimet e anëtarësimit filluan në 2005 nën mandatin e parë të Erdoganit si kryeministër.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share