Ministri i Financave të Kosovës, Hekuran Murati, ka thënë se opozita po i mban të bllokuara marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se janë gjithsej afro 150 milionë euro të bllokuara nga opozita.
“Opozita qenka ankuar se pse Kosova ende nuk është bërë pjesë e Programit Evropa Digjitale të BE-së. Mirëpo është e njëjta opozitë që me muaj të tërë po mban të bllokuara marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend, pa asnjë arsye të vlefshme”.
“Janë gjithsej afro 150 milionë euro të bllokuara nga opozita: 25 milionë euro marrëveshja me KfW për investime në rrjetin e transmisionit të energjisë elektrike, 84 milionë euro projekti i Ngrohjes Qendrore Solare, i financuar me grante nga Gjermania, grante nga BE, dhe kredi nga BERZH, 40 milionë USD marrëveshja me Fondin Zhvillimor të OPEC, mjete që planifikojmë t’i investojmë në infrastrukturë sportive, për t’u bërë gati për Lojërat Mesdhetare”, thuhet në shkrimin e Muratit./Klan Kosova