Mbahet funerali i adoleshentit të vrarë në Paris

Policia arreston 1300 protestues 

Trupi i pajetë i 17-vjeçarit Nahel, i cili u vra të martën e shkuar nga policia franceze pasi nuk ndaloi për një kontroll rutinë është përcjellë për në banesën e fundit.

Familjarët e viktimës i kërkuan mediave të qendrojnë larg kësaj ceremonie, ndërsa policia dhe autoritetet lokale morën masa për kontrollin e turmës që mori pjesë në funeral.

Funeralit i parapriu një tjetër natë protestash të dhunshme në të gjithë Francën, teksa policia dhe forcat speciale arrestuan mbi 1300 manifestues.

Kjo masë megjithatë nuk i pengoi protestuesit e dhunshëm të grumbulloheshin dhe të sulmonin policë e biznese nëpër rrugët e kryeqytetit dhe qyteteve të tjerë të mëdhenj të Francës.

Në mbledhjen e fundit të qeverisë u vendos pezullimi i përkohshëm i transportit publik qytetas në orët e mbrëmjes, që mjetet të mos binin më pre e dhunës dhe vandalizmave, ndërsa shumë aktivitete kulturore dhe sportive në të gjithë Francën u anuluan.

Presidenti francez Emmanuel Macron akuzoi protestuesit për reagim të tepruar, ndërsa për shkak të situatës gjatë së shtunës anuloi edhe vizitën zyrtare në Gjermani.

Përmes Tuiterit, një thirrje për fundin e dhunës në protesta bëri edhe kapiteni i PSG, Kilian Mbape, i cili kërkoi që dhuna t’u lerë vendin dialogut dhe mirëkuptimit.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share