Bilanc tragjik nga fundosja e anijes me emigrantë në Greqi: 500 të zhdukur, 78 viktima

Agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se rreth 500 persona rezultojnë të zhdukur si pasojë e përmbysjes së anijes plot me emigrantë afrikantë dhe aziatikë në Greqi.

Zëdhënësi Jeremy Laurence deklaroi se një numër i madh grash dhe fëmijësh janë në mesin e të zhdukurve si pasojë e tragjedisë që la të vdekur 78 persona.

“Humbja e jetëve solli nevojën më shumë se asnjëherë për të nxjerrë para drejtësisë kontrabandistët e njerëzve”, shtoi Laurence.

Në një deklaratë të përbashkët me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin, agjencia e refugjatëve tha se çdo veprim kërkimi dhe shpëtimi duhet kryer për të parandaluar humbjet e jetës.

Përllogaritet që në anije të kenë qenë 750 emigrantë.

Ekipet e kërkim shpëtimit vijojnë punën për gjetjen të mbijetuarve të tjerë. Peshkarexha e nisur nga Libia me destinacion Italinë, u fundos të mërkurën në det të hapur 80 kilometra larg brigjeve të qytezës greke Pilos. Kjo është tragjedia me më shumë viktima këtë vit në ujërat e Mesdheut./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share