Situatë e qetë në veri të Kosovës

LISTA SERBE PARAQET DY KËRKESA PËR PJESËMARRJEN NË ZGJEDHJE

Protestuesit serbë u rikthyen para komunave në veri të Kosovës, por pa tensione. Ndërkohë partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe paraqiti dy kushte për pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme, mes tyre tërheqjen e policisë speciale. Plan me 9 pika për shtensionimin paraqiti dhe OSBE-ja që parashikon dorëheqjen kryetarëve shqiptarë brenda verës.

Mbetet e qetë situata në veri të Kosovës, një javë pasi tensionet u shndërruan në dhunë. Këtu paqeruajtësit e KFOR-it po ruajnë bashkinë e Leposaviçit, ku ndodhet i strehuar kryetari i zgjedhur nga komuniteti shqiptar.

Në Zubin Potok dhjetëra qytetarë serbë qëndruan para ndërtesës së komunës, duke protestuar kështu kundër pranisë së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të komunave veriore.

Për dallim nga komunat e Zveçanit dhe Leposaviçit, ku përballë protestuesve qëndrojnë pjesëtarët e KFOR-it, këtu para tyre ndodhen pjesëtarët e Policisë së Kosovës.Vërehen edhe ushtarë të KFOR-it të cilët janë vendosur nëpër pika të ndryshme anash protestuesve.

Ndryshe nga gjendja në terren, në korridoret diplomatike po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, paraqiti dy kushtet të hënën për të marrë pjesë në zgjedhjet e reja. Së pari kërkohet që forcat speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu dhe të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Lista Serbe i bojkotoi zgjedhjet e mbajtura për kryetarë të komunave në veri dhe nuk i njeh as kryetarët e rinj shqiptarë.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve. Së fundi ishte kryetari i radhës i OSBE-së, Bujar Osmani që paraqiti planin e tij me 9 pika për shtensionimin e gjendjes në veri të Kosovës.

Plani synon arritjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në veri të Kosovës dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe procese demokratike dhe së pari, kërkon që Kosova dhe Serbia të riаfirmojnë angazhimin e tyre ndaj Marrëveshjes Themelore dhe Protokollit të Ohrit.

Kosova të tërheqë forcat e saj speciale policore, kurse Serbia duhet të ulë gatishmërinë luftarake të forcave të armatosura. Policia e Kosovës, së bashku me forcave të KFOR-it dhe EULEX-it, duhet t’iu mundësohet që të kujdesen plotësisht për rendin dhe sigurinë e vendit.

Plani parasheh që kryetarët shqiptarë të japin dorëheqjen deri në verën e këtij viti, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme komunale. Ende asnjë koment nga Prishtina.

Përgatiti: Leftion Peristeri

Lexo gjithashtu
Total
0
Share