Rama mbërrin në takimin e Komunitetit Politik Europian në Moldavi

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Kishinau aty ku po zhvillohet mbledhja e Komunitetit Politik Europian. Kreu i qeverisë është pritur nga presidentja moldave, Maia Sandu.

Kush merr pjesë në samit?

47 krerë shtetesh dhe qeverish janë ftuar të marrin pjesë në takimin e dytë të Komunitetit Politik Europian.

Bëhet fjalë për 27 vendet anëtare të BE-së dhe 20 shtete jo anëtare: Shqipëria, Andorra, Armenia, Azerbajxhani, Bosnja Hercegovina, Gjeorgjia, Islanda, Kosova, Lihtenshtejni, Moldavia, Monako, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, San Marino, Serbia, Zvicra, Turqia, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar.

Po ashtu janë të ftuar Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola. Rreth orës 11:45, pritet që të zhvillohet takimi mes të gjithë liderëve dhe kjo do të pasohet nga një drekë pune. Rreth orës 16:00 është parashikuar një konferencë për shtyp.

Kush është qëllimi i Komunitetit Politik Europian (KPE)?

KPE synon që të nxisë dialogun dhe bashkëpunimin politik për të adresuar çështje të interesit të përbashkët dhe të forcojë sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien në kontinentin europian. Kjo platformë për koordinim politik nuk zëvendëson asnjë organizatë, strukturë apo proces ekzistues dhe nuk synon të krijojë të reja në këtë fazë.

Në takimin e parë të KPE-së në Tetor 2022, udhëheqësit diskutuan më së shumti për çështjet e paqes dhe sigurisë, veçanërisht luftën ruse në Ukrainë dhe krizën energjetike. Ndërsa këtë të enjte pritet që të diskutohet edhe për tensionet e krijuara në veri të Kosovës.

Mbledhja e ardhshme e Komunitetit Politik Europian do të mbahet në Spanjë dhe më pas në Mbretërinë e Bashkuar./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share