Funerali i Mbretëreshës Elizabeth II i mbajtur më 19 Shtator 2022 dhe ceremonitë mortore që pasuan në ditë me radhë gjatë periudhës së zisë kombëtare, i kushtuan qeverisë rreth 162 milionë £.
Gjatë kësaj kohë, qindra-mijëra njerëz vizituan Westminsterin për t’i bërë nderimet e fundit Mbretëreshës Elizabeth II.
Kostot më të mëdha u mbuluan nga Home Office (74 milionë £) dhe Departamenti i Kulturës, Medias dhe Sportit (57 milionë £). Kryesekretari i Thesarit. John Glen, u shpreh se prioriteti i qeverisë ishte të sigurohej që ngjarja të zhvillohej pa probleme dhe me nivelin e duhur të dinjitetit, duke garantuar sigurinë e popullit në çdo moment. Në një deklaratë, Glen tha se Thesari kishte siguruar fonde shtesë aty ku ishte e nevojshme dhe qeveritë skoceze, Uellsiane dhe Irlandës së Veriut ishin rimbursuar totalisht për kostot e tyre përkatëse.
Pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II, më 8 Shtator 2022 në moshën 96-vjeçare, Mbretëria e Bashkuar shpalli 10 ditë zie kombëtare.
Mijëra qytetarë u mblodhën në radhë për të bërë nderimet e tyre për Mbretëreshën Elizabeth II. Njerëzit u rreshtuan në Londër në të gjitha orët e ditës, shpesh në temperatura të ftohta, për të bërë nderimet e tyre, përfshirë edhe emra shumë të njohur në mbarë botën./tvklan.al